“Kishte më shumë anë pozitive se negative”, Shehaj: Deklarata e Bozos e rrezikshme

schedule15:41 - 16 Mars, 2021

schedule 15:41 - 16 Mars, 2021

Ish-deputeti demokrat Agron Shehaj ka reaguar pas deklaratës së kandidates socialiste Luljeta Bozo se në kohën e komunizmit kishte më shumë anë pozitive se negative. Shehaj thotë se kjo deklaratë është e rrezikshme dhe krijon tek të rinjtë përshtypjen sikur regjimi i Enver Hoxhës ishte normal.

“Kam hezituar të flas për vlerësimin e Enver Hoxhës nga Luljeta Bozo, kryesueses socialiste për Tiranën, për të mos u dhënë rëndësi fjalëve të saj. Por mungesa e reagimit e shumë prej atyre që duhet të kishin reaguar, më bën të mos hesht.

Fatkeqësisht, krimet e regjimit komunist nuk u denoncuan dhe dënuan asnjëherë siç do duhej. Për shqiptarët, që u vranë dhe u përndoqën nga regjimi nuk ka ende drejtësi. Historia mbi regjimin kriminal komunist nuk është shkruar dhe nuk studiohet ende në shkolla.

Në këtë boshllëk të pafalshëm, deklarata si të zonjës Bozo janë të rrezikshme, sepse krijojnë përshtypjen, sidomos tek të rinjtë, se regjimi i Enver Hoxhës ishte normal.

Në fakt, ai ishte regjim kriminal që i solli vetëm të këqija dhe dëme kombit shqiptar. Ju ftoj të ndiqni arkivën digjitale të krimeve të komunizmit ndërtuar nga një punë shumëvjeçare e kujto.al për të kuptuar aktivitetin kriminal të Enver Hoxhës dhe regjimit të tij. Ne nuk duhet të harrojmë!”, shkruan Shehaj./mv.abcnews.al