Familjarët kujdesen për të infektuarit në Spitalin e Tetovës, mjekët: Akt kriminal, mund të bëhet vatër infeksioni

schedule08:25 - 16 Mars, 2021

schedule 08:25 - 16 Mars, 2021

Mjekët Skënder Murtezani dhe Genc Selmani folën lidhur me skandalin që përfshin Spitalin e Tetovës, në të cilin familjarët detyrohen të kujdesen për personat e infektuar me koronavirus. Në një lidhje me Skype në “Abc-ja e mëngjesit”, Murtezani e cilësoi ngjarjen kriminale nga një vend që pretendon të jetë pjesë e BE-së.

U shqetësova, nuk e kisha dëgjuar më parë botë ku familjarët pa trajnim të jenë pjesë e stafit mjekësor, është e rrezikshme dhe kriminale. Ndoshta nuk kisha reaguar aq sa mora vesh dhe pacientët e tjerë në dhomë, një shokun im me covid e pashë në një dhomë me 6 pacientë në të njëjtin vend dhe secili ka të drejtën të sjellë anëtarin e familjes që kujdesi të jetë i plotë.

E padëgjuar, kriminale dhe mendoj se këtu nuk është puna e mjekut, por e menaxhimit, administratës dhe sistemit shëndetësor në Maqedoninë e Veriut që për mua shkon deri tek dera e ministrit të Shëndetësisë. Një skandal i paparë në një vend që pretendon të hyjë në Evropë, një qytet i lënë në duart e veta, të njerëzve dhe mjekëve të papapërgjegjshëm, të cilët duhet të reagojnë të parët.”, u shpreh Murtezani.

Ndërkohë, mjeku Selmani shtoi se pandemia ka nxjerrë në pah politikat e gabuara të ndërmarra nga qeveria. “Është një akt kriminal sepse aty ku supozohet se duhet të marrësh shërimin nga sëmundja, bëhet vatër infeksioni. Kjo është si rezultat i politikave të gabuara 20 vjeçare që partitë në pushtet shqiptare, i kanë patur të gabuara dhe pandemia i nxjerr në pah të gjitha këto vështirësi ose probleme.“, tha ai.  /abcnews.al