Më datë 11 mars, dy ditë para derbit me Partizanin, Tirana u ndesh me lajmin e dhimbshëm të ndarjes nga jeta të një prej kampionëve të historisë së saj, Sadik Struga. Ish-mbrojtësi i djathtë u nda nga jeta në moshën 88 vjeçare dhe ishte vetë klubi bardheblu, që njoftoi lajmin e dhimbshëm dhe mbajti një minutë heshtje para se të niste derbi me Partizanin.
Vetë Struga, megjithëse lojtar i shquar dhe pjesë e paharrueshme e historisë së klubit 25 herë kampion, kishte zgjedhur të mbante një profil të ulët dhe të mos ishte pjesë e ekranit a trajningut, duke bërë që të mos njihej shumë nga brezat pas viteve 50’, kohë kur ai luajti.
Por Fatmir Mëneri, një nga gazetarët më të shquar sportivë dhe simpatizant i Tiranës së dikurshme nuk mund ta harronte Strugën. Sot ai i ka bërë një dedikim shumë prekës atij, duke kujtuar disa nga thëniet e Strugës dhe sjelljen e tij modeste e shembullore.
DEDIKIMI I FATMIR MËNERIT – Do të na mungosh Sadik Struga! Do t’i mungosh bashkëshortes, vajzës, mbesës, nipave, të afërmve, miqve e shokëve! Do t’i mungosh Tironës, si qytet e si skuadër!
Do t’i mungosh mjedisit bardheblu, sepse,- dhe këtu do të citoj një shrehje që e ke thënë ti, kur i madhi Ali Mema u nda para do kohësh nga kjo jetë, – ti ishe kajmaku i Tironës!
Do të na mungojë noblesa jote. Të qenit qytetar i skajshëm në këtë katundarllëkun tonë të përditshëm e të pashqitshëm! Do t’i mungosh të gjithëve, sepse, – dhe këtu do të citoj një shprehje që e ke thënë ti, për tim atë, – ti nuk ishe dikushi. Ishe gjithkushi!
Do të na mungojë thjeshtësia jote. Thjeshtësia prej atij lloji që flet shumë më kumbueshëm se pompozitetet e atyre që në jo pak raste, pa farë merite, tundin dekorata e sajojnë bëma, thjesht e vetëm për të rritur artificialisht figurën. Ti nuk kishe nevojë: thjeshtësia jote, ishte madhështia jote!
Do të na mungojë mosbezdia jote, përpjekja për të mos qenë kërrkund i tepërt, për të mos ua kaluar të tjerëve shqetësimet e hallet që mund të të kaplonin në momente të caktuara të jetës, sepse, – dhe këtu po citoj një tjetër shprehje tënden, – kur të pyesnin për shëndetin thoje: Mësu goja me thonë mirë!
Do të na mungojë mirësia jote, sepse, – dhe këto do të citoj një tjetër shprehje tënden që e ke thënë kur Pjetër Rodiqi, miku yt i mirë, u nda nga kjo botë, – ti, ndër tre fjalë, dy i kishe faleminderit! Do të na mungojnë shumë gjëra prej teje, por kurrë kujtimi yt! Ai është gdhendur tek ne që në gjalljen tënde! Lamtumirë Dik Struga! /abcnews.al