Kryeministri Edi Rama gjatë takimit me skuadrën e 25 prillit në Lezhë është ndalur edhe tek procesi i rindërtimit.
Rama tha ndër të tjera se vetëm në Kurbin ndodhen 11 kantierë. Kreu i qeverisë shtoi se Laçi do të jetë qytet ku do të ndryshojë cilësia e jetës.
“Kurbini, zona më e goditur ku sot që flasim kemi 11 kantiere në punë. 11 kantiere që mbikëqyren nga kryebashkiakja e palodhur e Kurbinit, Majlinda. Po e transformojnë Kurbinin në një realitet ku e ku më të mirë seç ishte para tërmetit. Ky është qëllimi ynë që ta kthejmë krizën e rëndë në një mundësi të re për familjet, fëmijët që shkojnë në shkollë, mësuesit, mjekët dhe infermierët, në ato pika ku tërmeti i rrënoi.
Në Kurbin kemi ndërhyrë në qytet, qendër, Laç me një investim shumë të rëndësishëm që pritej nga komuniteti. Përmbytej me shiun e parë për shkak të përroit. Faktikisht besoj që shumë shpejt shëmbëlltyrat janë në sytë e të gjithëve. Laçi do të jetë një realitet rrezatues. Do të jetë qytet ku cilësia e jetës do të ndryshojë.
Plani ynë i veprimit për ta futur Lacin në mes të këtyre dy pikave që bashkohen, magneti i Shna Ndout do të japë ekonomi, punësim, transformim të mëtejshëm për Laçin”, deklaroi Rama.