Gazetari Artan Hoxha ka komentuar vrasjen e Behar Sofisë, ndërsa gjykata vendosi sot që të lërë në burg katër personat e akuzuar si organizatorë të ekzekutimit.
I ftuar në studion e ABC, Hoxha theksoi ndër të tjera se ishte gabimi i ekzekutorit Ernejt Shyti që çoi më pas edhe në arrestimin e tij dhe tre bashkëpunëtorëve të tjerë.
Gazetari u shpreh se Shyti nuk rezulton të ketë bërë vrasje të tjera, ndërsa shtoi se nuk është shumë e vështirë që të shkohet deri te porositësi i eliminimit të Sofisë.
Lexo edhe: Ekzekutoi Behar Sofinë ne qendër të Tiranës, zbulohet mesazhi në telefonin e Ernejt Shytit
“Për ekzekutuesit një gabim që ka bërë ekzekutori. Vendi ku ai ka menduar se do ti flakte rribat, ky është gabimi. Në Tiranë duke mos u marrë shpesh mbeturinat në kazanët e plehrave i mbetet kohë policisë që të kontrollojë në kazane dhe të gjejë provat. Ekzekutori ka pasur edhe një vëlla binjak.
Punonte në Mal të Zi në ndërtim. Ishte larguar menjëherë pas ngjarjes, ka marrë një taksi dhe është larguar menjëherë në drejtim të Malit të Zi. Policia ka kontrolluar të gjithë shqiptarët që janë larguar atë ditë nga vendi. Kjo ka bërë që të kontaktohet policia e Malit të Zi dhe të arrestohet. Është sjellë menjëherë. Në këto kushte ky është detyruar dhe i ka nxjerrë të gjithë bashkëpunëtorët. Këta rezultojnë të jenë thjeshtë punëtorët, kanë marrë porosinë për ta eliminuar Sofinë.
Nuk është e pamundur që të shkohet deri në fund të zinxhirit për të gjetur kush është porositësi. Sa më shpejt të veprohet aq më shpejt do të shkohet te porositësi. Nuk ka asgjë të pamundur, po deri tani shumë rrallë kemi shkuar te urdhëruesit. Duhet ta thyejmë dhe uroj që të jetë rasti i duhur. Krimi i organizuar duhet të marrë një mesazh, por duhet ti tregohen limitet deri kur i ka. Nuk mundet që ata të bëjnë çfarë të duan”, tha ai. g.v/abcnews.al

