Sezoni i kaluar ishte i jashtëzakonshëm për Ciro Immobilen. Sulmuesi realizoi 36 gola në kampionat me Lazion, ekip që zhvilloi një sezon fantastik dhe ndodhej në garë për titullin, ëndërr që u shuajt me rënien e pandemisë.
Pushimi i dha fund formës magjike të ekipit bardhekaltër, që nuk ia doli të përsërisë rezultatet pozitive pas rifillimit të futbollit. Sulmuesi i kombëtares italiane fitoi “Këpucën e Artë”, duke fituar garën me një “përbindësh” si Robert Lewandowski.
Polaku i Bayern Munchen u ndal në kuotën e 34 golave sezonin e kaluar, po fitoi 5 trofe dhe u shpall futbollisti më i mirë i vitit nga FIFA. Rikthehemi tek Immobile, i cili ka dhënë një rrëfim interesant për spanjollen Marca.
“Pritja e marrjes së këtij trofeu ishte e bukur, rëndësi ka që ma dhanë më në fund (qesh). Sigurisht që nuk mund të mos mungoja unë pas një romanisti. Totti dhe Toni kanë qenë futbollistë të jashtëzakonshëm dhe kampionë bote.
Jam krenar që ndjek hapat e tyre dhe që shoh emrin tim përkrah gjithë lojtarëve të mëdhenj që e kanë fituar më parë. Kjo ‘Këpucë e Artë’ është një lloj hakmarrje, por jo kundër dikujt personalisht. Në futboll të gjithë kanë momentin e tyre, vjet ishte i imi.
31-vjeçari prek edhe tema të tjera, si pasionet jashtë fushës së blertë, takimi me Papa Françeskun dhe Zdenek Zeman, ai që e zbuloi te Pescara, aty ku Immobile formonte një treshe spektakolare bashkë me Lorenzo Insignen dhe Marco Verrattin.
“Kam zbuluar që kam një pasion për gatimin dhe kopshtarinë. Më pëlqen të vallëzoj me gruan dhe fëmijët e mi. Kam punuar dhe sakrifikuar shumë për të fituar këtë çmim. E di që shumë të rinj e ëndërrojnë një arritje të tillë.
Dua t’i inkurajoj: shtrëngoni dhëmbët dhe mos u dorëzoni, të gjithë i kemi mundësitë për t’i bërë realitet ëndrrat tona. Kisha ditëlindjen dhe mamaja erdhi në Torino për të më marrë mbrapsht në shtëpi. Më ulëriti: nxito dhe kthehu në shtëpi, nuk ke çfarë bën këtu.
Për fatin tim të mirë, nuk e dëgjova nënën time. Papa? Unë jam shumë besimtar. Një muaj më parë pata një takim privat me Papën dhe presidentin Lotito. Ishte një ditë shumë emocionuese për mua. U gëzua kur mori vesh që kam tre fëmijë.
Ai i adhuron familjet e mëdha dhe më inkurajoi të kisha edhe më shumë fëmijë. Sigurisht që nuk është mirë të mos ia plotësojmë dëshirën (qesh). Unë dhe familja ime ndihemi për mrekulli në Romë, jemi të lumtur dhe e adhurojmë qytetin.
Zeman? Ai ishte një trajner që kërkonte vetëm sulm, sulm dhe sulm. U shpalla golashënuesi më i mirë i Serie B me Pescarën në 2012. Në atë skuadër ishim unë, Insigne dhe Verratti. Zhgënjimi më i madh? Fakti që nuk u kualifikuam dot me kombëtaren në Rusi 2018.
Në fund një koment për Jurgen Klopp dhe Thomas Tuchel, me të cilët Immobile punoi gjatë aventurës jo pozitive te Dortmund. “Klopp ishte mbresëlënës, ai shquhet për shpirtin e tij luftarak. Tuchel më dukej një trajner i përpiktë, tipik italian“, përfundon goleadori i Lazios. /abcnews.al