Rindërtohet segmenti rrugor “Pallati me Shigjeta” sheshi “Shqiponja”

schedule17:27 - 11 Shtator, 2018

schedule 17:27 - 11 Shtator, 2018

Segmenti i parafundit i Unazës së Madhe të Tiranës ai nga “Pallati me Shigjeta” tek sheshi “Shqiponja” do të nisë të rindërtohet në fund të vitit. Autoriteti Rrugor Shqiptar ka hapur garën dhe punimet parashikohet të realizohen për dy vjet.

Në fund të vitit qeveria do të nisë rindërtimin e 2 kilometrave të segmentit të parafundit të Unazës së Madhe të Kryeqytetit.
Autoriteti Rrugor Shqiptar ka hapur garën për rehabilitimin e rrugës nga mbikalimi i Pallatit me Shigjeta deri në rrethrrotullimin e Sheshit Shqiponja, punime të cilat parashikohen të realizohen në harkun kohor të 2 viteve. Aksi i ri do të kushtojë 50 milionë dollarë dhe do të realizohet sipas standardeve dhe cilësisë që është përdorur edhe në pjesët e tjera të Unazës.

Burime zyrtare thanë se segmenti do të jetë në cilësinë e një autostrade, ku pjesët anësore të saj do të mbyllen për tu bërë të pakalueshme nga banorët e zonës, ndërsa për ta do të ketë mbikalime të dedikuara, në mënyrë që të evitohen aksidentet. Ky është segmenti i parafundit i Unazës së Madhe. Pas tij mbetet për tu plotësuar rruga nga sheshi Shqiponja për tek Bulevardi i Ri, por për të autoritetet po punojnë për të përgatitur projektin, ndërsa fondet do të alokohen me buxhetin e vitit të ardhshëm. Në muajin gusht ARRSH hapi tenderin për lotin që lidh zonën e Shkozës me Ali Demin dhe Kodrën e Prifitit dhe segementin mes Saukut, Farkës dhe që del më pas në Shkozë./abcnews.al