Gjendje alarmi në Karolinën e Jugut në pritje të uraganit Florence

schedule13:05 - 11 Shtator, 2018

schedule 13:05 - 11 Shtator, 2018

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë në pritje të uraganit Florens që protet të mbërrijë në Karolinën e Jugut dhe në atë të veriut të enjten. Më shumë se një million banorë janë evakuar, dhjetëra shkolla janë mbyllur dhe supermarketet janë boshatisur. Presidenti amerikan Donald Tramp ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme duke u bërë apel banorëve të jenë të kujdesshëm dhe të ndjekin udhëzimet.

Presidenti amerikan Donald Trump ka shpallur gjendjen e emergjencës në Karolinën e jugut dhe në atë të veriut në pritje të uraganit Florence, të kategorisë 4, i cili do të mbërrijë të enjten. Gjendja e emergjencës lejon aktivizimin e forcave federale të koordinuara nga departamenti për sigurinë kombëtare dhe mbrojtja civile amerikane. Guvernatori i Karolinës së jugut urdhëroi evakuimin e detyruar për më shumë se një milion banorë në bregun lindor. Uragani Florens është më i dhunshmi në këto 20 vitet e fundit. Guvernatori u shpreh se uragani është shumë i rrezikshëm dhe duhet shmangur që të ketë viktima në njerëz, për këtë arsye po evakuohet zona prej 320 kilometrash e bregut.

Me dhjetëra shkolla janë mbyllur, ndërkohë që supermarketet janë boshatisur nga banorët që kanë nxituar të marrin masat.

Presidenti amerikan u shpreh se e kishin informuar se kjo stuhi ishte nga më të këqijat që kishte goditur bregun lindor prej vitesh. Me anë të një mesazhi në profiling e tij Tuiter, kreu i Shtëpisë së Bardhë i ka kërkuar banorëve të përgatiten dhe të marrin masat duke qendruar në vende të sigurta.

Sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare për uraganët deri tani Florens ka arritur në një shpejtësi prej 220 kilometrash në orë.

Agjencia federale që merret me menaxhimin e emergjencave paralajmëroi se uragani Florens do të shkaktojë një nivel vdekjeprurës të detit, përmbytje dhe erëra të forta në Karolinë dhe Virxhinia.

Duke udhëtuar me një shpejtësi prej 20 kilometrash në orë në drejtim Verilindor, uragani do të kalojë mesnatën e të martës dhe të mërkurën mes Bahamas dhe Bermudës duke mbërritur të enjten në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Por Florens do të pasohet nga dy uraganë të tjerë që vijnë nga Atlantiku, Helen që ka arritur në 165 kilometra në orë në veri Perëndim dhe Izak që udhëton me 120 kilometra në orë aktualisht. Në periudhën gusht – shtator të 2017-ës tre uraganët e fuqishëm Harvei, Irma dhe Maria shkaktuan me mijëra viktima dhe dëme material prej miliarda dollarësh në ishujt Karaibe dhe në juglindje të shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në mënyrë të veçantë Harvei gjunjëzoi për disa ditë Teksasin, dhe metereologët paralajmërojnë se dhe ky uragan mund të qëndrojë disa ditë në Karolinën e Jugut dhe në atë të Veriut. /abcnews.al