The Weeknd është zotuar se do t’i bojkotojë përgjithmonë çmimet Grammy. Pak kohë më parë, artisti kanadez akuzoi eventin si të korruptuar, pasi albumi i tij “After Hours”, jashtëzakonisht i suksesshëm, nuk u përfshi në listën e nominimeve 2021.
“Grammy-t mbeten të korruptuar. Ju më detyroheni mua, adhuruesve të mi dhe transparencës së industrisë”, shkroi asokohe këngëtari kanadez. Tashmë, ai ka vendosur t’i bojkotojë përgjithmonë duke mos paraqitur asnjë nga projektet e tij të ardhshme.
“Për shkak të ‘komiteteve të fshehura’, unë nuk do të lejoj më që labeli im ta paraqesë muzikën time tek Grammy”, tha ai për “New York Times”. Së fundmi, dhe Zayn Malik reagoi ashpër ndaj evenimentit duke thënë:
“Në djall me Grammy -t dhe çdokush që ka lidhje me të. Nëse nuk shtrëngoni duart dhe nuk dërgoni dhurata, nuk konsideroheni fare. Vitin tjetër do ju dërgoj unë një shportë ëmbëlsirash”/abcnews.al