Sondazh

Vendimi i Hagës:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

BE duhet të kompensojë Ballkanin Perëndimor për emigrantët e kualifikuar që i merr çdo vit

schedule13:59 - 12 Mars, 2021

schedule 13:59 - 12 Mars, 2021

Nga Allison Carragher, Carnegie Europe

Lufta e fenomenit të largimit të njerëzve të arsimuar nga Ballkanin Perëndimor, është në fakt lufta e Evropës kundër drogës – si fushata e paefektshme e SHBA-së që po zgjat prej dekadash dhe që synon zhdukjen e prodhimit dhe trafikut të drogës nga Amerika Latine.

Sidoqoftë, kjo luftë është zhvilluar duke marrë shumë pak parasysh gjysmën tjetër të ekuacionit:kërkesa e brendshme dhe gjithnjë e në rritje për drogë në Shtetet e Bashkuara.

Ngjashëm, edhe BE-ja është e varur nga fuqia punëtore e importuar nga Ballkani Perëndimor, ndërsa është angazhuar në një përpjekje gjysmake që përqendrohet vetëm tek faktorët që e kanë burimin tek vetë rajoni.

Ballkani Perëndimor, ashtu si Evropa Lindore para tij, është shpopulluar nga luftërat, programet e emigrimit të rregullt të punëtorëve të ftuar, dhe tani nga ikja e njerëzve të arsimuar. Banka Botërore vlerëson se 4.4 milion njerëz kanë emigruar nga ky rajon midis viteve 1990-2015.

Sa për krahasim, kjo shifër përfshin gati gjysmën e popullsisë së Shqipërisë dhe Bosnjë-Hercegovinës të marra së bashku. Rreth gjysma e emigrantëve të rajonit emigrojnë në Evropën Perëndimore, ndërsa fuqitë ekonomike si Gjermania përpiqen qëtë korrigjojnë problemet demografike.

Me rreth 1.3 milion vende të lira pune dhe një popullsi të plakur, Gjermania miratoi vitin e shkuar një ligj të ri mbi emigracionit që e lehtëson hyrjen në tregun e punës për qytetarët që nuk vijnë nga vendet e BE-së. Parakushtet si njohja e gjuhës gjermane dhe ekuivalenca e kualifikimeve favorizojnë punëtorët e Ballkanit Perëndimor, ekonomia e të cilit tashmë anon drejt Gjermanisë.

Emigrimi është produkt i faktorëve shtytës dhe tërheqës. Megjithatë, edhe gjatë presidencës gjermane të BE-së në gjysmën e dytë të vitit 2020, konferencat demografike mbi Ballkanin Perëndimor theksuan vetëm faktorët shtytës që e nxisin migrimin:perspektivat e zymta ekonomike, korrupsioni dhe krimi i organizuar.

Ndërsa këto janë arsye të forta, kjo perspektivë i vendos barrën ekskluzivisht rajonit për t’i zgjidhur këto probleme. Ndërkohë pak pranohen faktorët tërheqës, dhe nuk ka asnjë njohje të përfitimeve të mëdha që ka BE-ja nga largimi i të arsimuarve nga rajoni i Ballkanit Perëndimor.

Ekonomisti Federico Fubini, vlerëson se vendet e Evropës Lindore dhe Ballkanit Perëndimor injektuan mbi 200 miliardë euro në ekonominë gjermane përmes arsimimit dhe trajnimit të punëtorëve të rinj, që u zhvendosën atje midis viteve 2009-2017.

Për më tepër, punëtorët e Ballkanit Perëndimor emigrojnë shpesh për të bërë punë që janë nën nivelin e tyre të kualifikimit, dhe që sërish paguhen më mirë sesa në pozicionin më të privilegjuar të punës në vendin e tyre. Dhe ky nën përdorim i aftësive dhe arsimit, përfaqëson një humbje neto të efikasitetit.

Siç e thekson parlamentarja rumune evropiane Clotilde Armand “ky eksod është një transferim de facto i pasurisë” nga Lindja në Perëndim. Zyrtarë të lartë evropianë si Friedrich Merz, që dëshiron të pasojë në detyrë kancelaren gjermane Angela Merkel, janë shprehur kundër shndërrimit të BE-së në një “union të transferimit, ku vendet anëtare më të pasura subvencionojnë ato më pak të pasura”.

Por nëse i shtoni largimin e të arsimuarve në fitimet që bëjnë kompanitë e Evropës Perëndimore në biznesin e tyre në Lindje, rezulton se këto transferime të pasurisë nga Lindja në Perëndim i tejkalojnë fondet e BE-së që shkojnë në drejtim të kundërt.

Derisa Evropa Perëndimore ta pranojë rolin e saj kryesor si destinacion dhe përfitues i largimit të trurit, BE nuk mund të konsiderohet një ndërmjetëse e ndershme në demografinë e Ballkanit Perëndimor. Largimi i më të arsimuarve nga rajoni, i dëmton tregjet e punës dhe ka pasoja shumë të rënda ekonomike.

Mungesa e punëtorëve të kualifikuar, e pengon rritjen ekonomike dhe i dekurajon investimet e huaja. Sidomos në epokën e koronavirusit është shumë e rëndësishme mungesa e punëtorëve të kualifikuar shëndetësorë në Ballkanin Perëndimor, të cilët po shpëtojnë jetë në Evropën Perëndimore.

Meqë rajoni ka disa nga nivelet më të ulëta të lindshmërisë në botë dhe shumë pak rikthime, kostot e pensioneve në rritje po përballohen nga një bazë taksapaguesish që po tkurret në mënyrë të vazhdueshme. Dhe kjo gjë ose kontribuon në rritjen e deficiteve qeveritare ose zvogëlon shpenzimet publike të dobishme.

Largimi i më të arsimuarve nga Ballkani, ka ndërkohë edhe pasoja të mëdha politike. Emigrantët e Ballkanit Perëndimor janë mesatarisht më të rinj dhe më të arsimuar sesa qytetarët në vendet e tyre, dhe për këtë arsye kanë prirjen që të formojnë një segment elektoral relativisht liberal.

Emigrimi e ndryshon kësisoj sjelljen politike të një popullate, dhe mund të fuqizojë një udhëheqje politike të dobët. Kur qytetarët më të motivuar dhe më të kualifikuar largohen nga vendi, në vend mbeten shumë më pak individë me cilësi të lartë që janë të gatshëm për të udhëhequr ose të votojnë.

Pasoja të tilla janë të mundshme në të gjitha vendet që po përjetojnë një humbje të talenteve. Ajo që e bën shumë unik rastin e Ballkanit Perëndimor, janë pasojat e këtij fenomeni për zgjerimin e BE-së. Largimi i më të arsimuarve, e ngadalëson konvergjencën ekonomike të

BE-së dhe arritjen e kritereve fiskale për anëtarësimin.

Transferimi i pasurisë e kompenson ndihmën e dhënë gjatë para-anëtarësimit në BE. Dhe reduktimi i elektoratit, përforcon një cikël korrupsioni dhe lidershipi joefektiv në këto vende. Si përfundim, largimi i më të arsimuarve dhe anëtarësimi në BE i këtyre vendeve është reciprokisht përjashtues.

Zgjidhja nuk është të ndalohet emigrimi – edhe pse një raport befasues i vitit 2019 nga Këshilli Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë, zbuloi se shumica e qytetarëve në disa vende të BE-së do ta mbështesnin pikërisht këtë gjë. Por një politikë e tillë do të dëmtonte një nga 4 liritë themelore që mbështesin eksperimentin e BE-së:lëvizjen e lirë të krahut të punës.

Në vend të kësaj, BE duhet t’i qaset çështjes si një partnere e vërtetë. Në vend se të zhvillojë  një luftë joefektive kundër largimit të atyre që janë më të kualifikuar bazuar në gjysmë të vërteta, unioni duhet të zhvillojë politika që adresojnë faktorët shtytës dhe ata tërheqës, siç është detyrimi ndaj vendeve që importojnë krahun e punës për t’i kompensuar vendet e origjinës për koston e vërtetë të eksportit të talenteve.

Një raport i Komisionit Evropian i vitit 2020, mbi ndikimin e ndryshimit demografik, identifikoi nevojën “për të përfshirë konsideratat demografike në politikën e BE-së” dhe “zvogëlimin e pabarazive midis rajoneve”. Tani është koha të shpërndahet një pjesë e fitimit.

Një BE që është serioze në lidhje me anëtarësimin e këtyre vendeve në union, duhet të marrë përgjegjësinë si përfituesja kryesore e rrjedhjes së trurit nga Ballkani Perëndimor, dhe të ndajë barrën e gjetjes së një zgjidhjeje. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!