Monolog nga Robert Aliaj
Po t’ju pyes, kush e ka drejtuar Shqipërinë, do të përgjigjeni: Zogu, Enveri, Berisha, Nano, Meta, Rama.
Nuk është e vërtetë.
Ka pasur dhe burra të tjerë. Noli, Ramizi, Aleksandër Meksi e Pandi Majko.
Po këta nuk ju kujtohen. Këta, ishin liderët e “butë”. Ju mbani mend vetëm
burrat e fortë, ata që e kanë drejtuar këtë vend, jo si shtetarë po si bajraktarë.
Tek Gorrillat mashkulli Alfa i nënshtron të gjithë, me femra e me meshkuj ndaj pushtetit të tij. I nënshtron seksualisht, dhe të gjithë i binden.
Por gorrillat, sado që ngjajnë me ne në 99% të ADN-së nuk arritën të bëjnë kurrë shtet. Mbetën kope, tërë jetën.
Filozofia e liderit shqiptar është përmbledhur në 1 fjali të vetme:
“Shqiptarëve duhet t’u bësh nënën, që të të thërrasin babë”.
Nuk është zhargon rruge. Kjo maksimë filozofike, i atribuohet një prej figurave më të rëndësishme politike të demokracisë shqiptare.
Duket sikur liderët shqiptarë kanë kërkuar të projektojnë tek publiku pikërisht këtë imazh: të burrit të fortë, që të detyron t’i thuash “babë”.
Imazhi i të fortit përcillet nga qendra në bazë. Në çdo fshat, qytet, komunë a bashki, partitë po përzgjedhin burrat e fortë. Mund të jenë dhe kriminelë, mund të jenë dhe të kërkuar nga Interpoli, rëndësi ka që publiku t’i perceptojë si të vetmit që të detyrojnë t’u thuash “babë”.
Por, a është kjo Shqipëria?
A jemi ne vërtet të menaxhueshëm si një kope gorrillash, ku mashkulli Alfa e merr pushtetin sepse shqiptarët “dun babën”?
Unë besoj se jemi pjekur aq sa “Babën” e imponuar ta quajmë “derr”, dhe të zgjedhim liderë që qeverisin si qytetarë e jo si gangsterë!