Sondazh

Vendimi i Hagës:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Politika e personalizuar nga liderët, arsyeja pse demokracia mund të mos rimëkëmbet më kurrë

schedule17:52 - 11 Mars, 2021

schedule 17:52 - 11 Mars, 2021

Nga Andrea Kendall-Taylor, Erica Frantz & Joseph Wright, Foreing Policy

Ndërsa Konferenca Konservatore e Veprimit Politik (CPAC) e Partisë Republikane e zhvilluar në fund të muajit shkurt po përmendet gjithnjë e më pak nga mediat, një imazh mbetet akoma në mendjen e shumëkujt:Gjatë gjithë aktivitetit, në sallë spikaste një statujë ngjyrë ari e ish-presidentit amerikan Donald Trump.

Disa analistë e quajtën atë një metaforë të përsosur për gjendjen kur ndodhet aktualisht Partisë Republikane. Që nga largimi i tij nga detyra e presidentit, Trump ka vazhduar sulmet personale ndaj anëtarëve më të njohur të partisë, përfshirë udhëheqësin e pakicës në Senat, Mitch Mcconnell, ndërsa po u bën presion të tjerëve brenda për të censuruar, denoncuar dhe mënjanuar liderët e partisë të cilët ai i sheh si të pabesë.

Kjo sjellje është një vijimësi e qasjes së një presidenti që gjatë 4 viteve në detyrën  e presidentit, u përpoq në mënyrë të qëndrueshme të rriste fuqinë dhe ndikimin e tij në krahasim me të tjerët në Partinë Republikane. Por personalizimi i partive politike nuk është një dukuri unike vetëm për Shtetet e Bashkuara.

Në mbarë botën, politika po bëhet gjithnjë e më shumë një çështje personale; udhëheqësit po grumbullojnë gjithnjë e më shumë pushtet në krahasim me partitë e tyre politike. Kësisoj,politika më shumë reflekton preferencat e udhëheqësit, sesa është një proces negocimi midis aktorëve dhe institucioneve të shumta.

Nëse vazhdon kjo tendencë, demokracia liberale do të vuajë jo pak pasojat. Shkenca politike e ka parë prej kohësh si një problem personalizimin e politikës në vendet autoritare. Dhe që nga fundi i Luftës së Ftohtë, ka pasur në fakt një ndryshim vendimtar drejt personalizimit të saj tek regjimet autokratike.

Udhëheqës si presidenti rus Vladimir Putin, presidenti turk Recep Tayyip Erdogan dhe presidenti i Nikaraguas Daniel Ortega,e kanë zhvendosur në mënyrë të vazhdueshme pushtetin nga partitë dhe institucionet tek vetja e tyre. Edhe në Kinë, Presidenti Xi Jinping i ka dhënë fund dekadave të vendimmarrjes në stilin konsensual, duke e zhvendosur pushtetin nga Partia Komuniste Kineze në duart e tij.

Por një vështrim i shpejtë nëpër botë, tregon se tendenca drejt personalizimit të politikës, po prek edhe demokracitë. Përtej Donald Trump, udhëheqësit e zgjedhur në mënyrë demokratike si Jair Bolsonaro në Brazil, Victor Orban në Hungari dhe Rodrigo Duterte në Filipineve po dominojnë lajmet në media, dhe po rrisin famën e tyre në krahasim me institucionin politik tradicional.

Por personalizimi nuk është i kufizuar vetëm tek këta populistë të njohur. Andrej Babis i Republikës Çeke, Macky Sall i Senegalit, ish-presidenti i Ukrainës Petro Poroshenko dhe Shejh Hasina i Bangladeshit, renditen lart në personalizimin e politikës, por shumë poshtë në nivelin e populizmit të tyre.

Edhe studimi ynë i fundit e nënvizon këtë prirje. Duke përdorur një sërë treguesish që masin fuqinë relative midis udhëheqësit dhe partisë politike, ne zbulojmë se personalizimi i politikës në demokraci ka qenë në rritje që prej fillim viteve 2000, duke u përshpejtuar më shumë që nga viti 2015.

Në disa aspekte, lëvizja drejt personalizimit më të madh të politikës tek demokracitë, ka ndodhur dalëngadalë gjatë dekadave të fundit. Studiuesit e kanë lidhur rritjen e personalizimit me zhvillimin e mediave elektronike, dhe sidomos me televizionin në vitet 1950-1960.

Për shembull televizioni, me shtimin e debateve kryesore televizive gjatë fushatave zgjedhore kombëtare, ndikoi ndjeshëm në mënyrën se si votuesit i shihnin udhëheqësit e tyre. Shfaqja e internetit dhe mjeteve të tjera dixhitale, po e ushqen akoma më shumë këtë tendencë, pasi këto të fundit i japin mundësi udhëheqësve ta përçojnë mesazhin e tyre në një audiencë edhe më të gjerë.

Përtej fuqisë së transmetimit, teknologjitë dixhitale gjithashtu krijojnë mundësi të reja për udhëheqësit që të censurojnë dhe manipulojnë në mënyrë selektive mjediset e tyre mediatike, duke kontrolluar narrativat që rrethojnë lidershipin e tyre.

Dhe në fakt, të dhënat tregojnë se udhëheqësit demokratë,qëe përdorin internetin në një mënyrë më efektive për të monitoruar dhe censuruar mediat sociale, por edhe për të krijuar alternativa të mediave sociale, priren të jenë më personalistë në ushtrimin e pushtetit.

Personalizimi përbën një kërcënim i madh për demokracitë e sotme, sepse udhëheqës të tillë krijojnë një polarizim të madh në shoqëritë ku qeverisin. Kjo sepse në këto sisteme, zgjedhjet e politikave pasqyrojnë më fuqimisht preferencat e udhëheqësit, sesa një proces negocimi midis aktorëve dhe institucioneve të shumta.

Ato grupime që nuk janë në një linjë me udhëheqësin, dhe që anashkalohen në procesin e vendimmarrjes ka të ngjarë të zhgënjehen, duke e thelluar më shumë ndarjen midis kampeve politike. Për më tepër, personalizimi i politikës dhe demokracia nuk mund të bashkëjetojnë me njëra-tjetrën.

Pasi personalizimi mundëson marrjen e pushtetit dhe çmontimin në rritje të demokracisë, që është bërë mënyra më e zakonshme e shkatërrimit të demokracive. Në Evropë, Erdogan dhe Orban e ilustrojnë më së miri këtë tendencë. Që të dy udhëheqësit e rritën me sukses ndikimin dhe kontrollin e tyre mbi partitë e tyre politike dhe elitën e partive, duke lehtësuar më pas aftësinë e tyre për të shkatërruar kontrollet e tjera institucionale.

Ndërkohë, personalizimi u jep udhëheqësve një fuqi më të madhe negociuese mbi pjesën tjetër të elitës së partisë, duke e bërë më të vështirë për këto të fundit që të zmbrapsin përpjekjet e liderit për të konsoliduar kontrollin e tij.

Në Hungari, krijimi nga Orban i partisë Fidesz, dhe zhvendosja e tij nga e majta në të djathtë, përçau lidershipin e partisë, dhe i mundësoi Orban që të dëbonte liderët e partisë që e kundërshtuan sundimin e tij. Kjo gjë i hapi rrugën ngritjes në krye të zyrtarëve besnikë të Orban, shumë prej të cilëve më parë nuk ishin pjesë e establishmentit politik hungarez, dhe nuk kishin ndonjë përvojë të madhe qeveritare.

Kur elitat e partisë i shohin perspektivat e tyre të ardhshme si të lidhura me ato të liderit, kjo gjë e forcon motivimin e tyre për të mbështetur udhëheqësin, edhe kur ky u ka marrë shumë nga pushteti i tyre. E gjithë kjo duhet të jetë një përrallë paralajmëruese për Partinë Republikane në SHBA dhe drejtuesit e saj aktualë.

Nëse Trump do të rikthehet në politikë dhe drejtojë një parti të dominuar gjithnjë e më shumë nga ai dhe besnikët e tij, prirja drejt personalizimit në Shtetet e Bashkuara do të përshpejtohet, dhe Trump do të çojë përpara përpjekjet e tij për të forcuar kontrollin mbi fondet e partisë dhe për të zëvendësuar konservatorët tradicionalë në degët lokale të partisë. Me partinë plotësisht nën kontrollin e tij, do të ishte e vështirë që demokracia amerikane ta rimerrte veten. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!