Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka komentuar futjen në listën e kandidatëve Ervin Salianjin, ndërkohë që u përjashtua nga strukturat e partisë disa muaj më parë.
Gjatë konferencës me gazetarët, Basha tha se është krenar për modelin që sollën për përzgjedhjen e kandidatëve ndërsa theksoi se për çdo individ ka dhe mund të ketë vlerësime të ndryshme. Sipas kreut të demokratëve lista e PD është garanci për të sjellë ndryshimin.
“Procesi më transparent i zhvilluar nga një parti politike ishte dje. Jam krenar që ne kemi mundur të sjellim një model që funksionon në demokracitë perëndimore. Për çdo individ ka dhe mund të ketë vlerësime të ndryshme. Futurat e detajeve tona kane qenë gjithmonë në funksion të njerëzve. Një gjë të jeni i sigurt, çdo anëtar i listës sonë është i përkushtuar për ndryshimin dhe do të jetë në funksionin të ndryshimit. Lista jonë është garancia dhe angazhimet tona do të bëhet realitet. Bashkë do të sjellim ndryshimin”, tha Basha.
Lexo edhe: Do të japësh dorëheqjen nëse mundesh nga Rama? Si përgjigjet Basha
Basha u ndal gjithashtu edhe tek pozicionimi në vende të sigurta i aleatëve të PD në listë. Lidhur me këtë kryedemokrati tha se “Aleanca për Ndryshim” është një bashkim vullnetesh.
“Aleanca për Ndryshim është një bashkim vullnetesh. Kërkesa për ndryshim nuk është matematikë për vende dhe poste. Ne jemi bashkuar prej vitesh për një sakrificë, për ti dhënë fund pengmarrjes së Shqipërisë. Kjo do të ndodhë më 25 prill, ku Shqipëria do të çlirohet nga Edi Rama. kjo na bashkon të gjithë bashkë, edhe aty ku dukemi se kemi diferenca. Ti japim shqiptarëve atë që e kërkojnë me ngul, duan ndryshim. Ne do ta sjellim, do të bëjmë të mundur mbajtjen e angazhimeve”, deklaroi Basha. g.v/abcnews.al