Intervista e Meghan dhe Harry: Pse “rrëfyesit mbretërorë”, kërcënojnë monarkinë britanike

schedule19:18 - 9 Mars, 2021

schedule 19:18 - 9 Mars, 2021

Nga Laura Clancy, The Conversation

Intervista e Princit Harry dhe Dukeshës së Sussex, Meghan Markle dhënë moderatores së njohur amerikane Oprah Winfrey, po shndërrohet në kritikën më të ashpër dhe të promovuar ndaj monarkisë britanike ndërvite.

Në të, Meghan rrëfeu mendimet mbi vetëvrasjen gjatë kohës që ishte shtatzënë, si dhe pretendimet se dikush në familjen mbretërore vuri në dyshim se sa i zi do të ishte Archie – djali i saj me Princin Harry.

Nga shumica e komenteve, intervista është cilësuar si një sulm ndaj familjes mbretërore.

Por mbretëria kërkon që Meghan dhe Harry “thjesht të qëndrojnë të qetë”, çka tregon më thellë për politikën e“rrëfimit mbretëror”, dhe se si njerëzit që flasin publikisht mbi mbretërinë keqpërdoren për të mbrojtur institucionin. Rrëfyesit mbretërorë kanë një histori të gjatë. Marion Crawford, e cila shkroi një libër në vitin 1950 mbi kohën që kishte punuar si dado e Mbretëreshës dhe motrës së saj Margareth, dyshohet se u përjashtua sepse e shiti pa leje historinë e saj.

Wallis Simpson, një amerikane për të cilën Edward VIII braktisi fronin në vitin 1936, shkroi librin e saj me kujtime“Zemra ka arsyet e saj”. Në të, ajo në mënyrë sarkastike kujtoi “me të drejtë sharmin e famshëm” të Nënës Mbretëreshë si një kritikë e hollë ndaj saj.

Intervista në BBC One Panorama e Princeshës Diana në vitin 1995, është ndoshta rrëfimi mbretëror më i famshëm. Diana foli me gazetarin Martin Bashir mbi tradhtinë bashkëshortore, komplotet e pallatit mbretëror kundër saj dhe përkeqësimin e shëndetit të saj mendor dhe fizik.

Citati i saj famëkeq, “Ne ishim 3 vetë në këtë martesë, ndaj ajo ishte paksa e mbipopulluar me njerëz”, duke iu referuar lidhjes së Princit Charles me Camilla Parker Bowles, kujtohet ende pothuajse 26 vjet më vonë.

Sir Richard Eyre, një ish-drejtor i Teatrit Kombëtar, pretendoi se Mbretëresha e quajti “të tmerrshëm” vendimin e Dianës për t’ua thënë të gjithëve detaje të tilla nga jeta e saj private. E zakonshme në gjithë këta shembuj, është fakti se janë gratë ato që përdorin rrëfimin mbretëror për të zbuluar përvojat e tyre.

“Rrëfimi” përdoret shpesh në botën e shoubizit, për të krijuar marrëdhënie intime me audiencat. Njerëzit e famshëm zbulojnë diçka personale, dhe zbulojnë veten e tyre “origjinale”. Por siç vërejnë studiuesit e sociologjisë dhe medias Helen Wood, Beverley Skeggs dhe Nancy Thumin, rrëfimet e të famshmëve elitarë, të bardhë dhe meshkuj, priren qëtë trajtohen më me rëndësi.

Por rrëfimet e grave -si të atyre me ngjyrë apo ato të shoqëruara me “profesione të kulturës së ulët” (siç janë personazhet e famshëm të shoubizit) -trajtohen që të gjitha si të papërshtatshme dhe narçiziste. Të gjithë këta rrëfime cilësohet në komentet publike dhe shoqërore si sulme ndaj familjes mbretërore.

Ato konsiderohen se ekspozojnë në mënyrë gabuar dhe të pamoralshme çështjet e brendshme të monarkisë. Analistë si Piers Morgan e kanë quajtur të turpshme intervistën, duke pyetur se si mund të jenë Harry dhe Mehgan aq të pashpirt sa t’i etiketojnë si gënjeshtarë Mbretëreshën dhe Princin Philip, ndërsa ky i fundit është aktualisht i sëmurë në spital?

Historitë që i përshkruajnë rrëfyesit mbretërorë si të pamoralshëm po përpiqen të mbrojnë monarkinë, në vend se të njohin rëndësinë që ka llogaridhënia publike e një institucioni të fuqishëm. Në librin tim të ardhshëm, unë argumentoj se monarkia britanike mbështetet mbi një ekuilibër të kujdesshëm të dukshmërisë dhe padukshmërisë për të riprodhuar fuqinë e saj.

Ky është një institucion antik që vepron në zemër të një sistemit që supozohet se është demokratik. Dhe mos-tërheqja e vëmendjes ndaj këtyre kontradiktave është thelbësore për mbijetesën e saj. Familja mbretërore, mund të jetë e dukshme në forma spektakolare (për shembull në ceremonitë shtetërore) ose familjare (dasma mbretërore, lindja e fëmijëve mbretërore).

Por puna e brendshme e institucionit duhet të mbetet sekrete. Ashtu si Meghan, edhe unë përdor frazën “Firma”. Por unë e përdor për ta përshkruar monarkinë si një korporatë, që investon në riprodhimin e pasurisë dhe fuqisë së saj. Por kjo është një korporatë, veprimtaria e së cilës duhet të mbetet sekrete.

Çdo ekspozim i aktiviteteve të saj në prapaskenë – siç janë zbulimet e fundit në “The Guardian” mbi keqpërdorimet e “pëlqimit të Mbretëreshës”, për të ndikuar mbi ligjet që prekin interesat e saj personale – rrezikojnë që ta destabilizojnë monarkinë.

Një moment kur mbi monarkinë pati shumë vëmendje, ishte dokumentari mbi familjen mbretërore, ku autorët ndoqën për një vit aktivitetet dhe jetën e familjes Uindsor. Ai

është redaktuar nga vetë Buckingham Palace. Unë argumentoj se kjo ndodhi për shkak se dokumentari  zbuloi shumë rreth monarkisë në prapaskenë, dhe kërcënoi të prishte ekuilibrin jetik mes dukshmërisë dhe padukshmërisë.

Siç shkruante konstitucionalisti i njohur Walter Bagehot në vitet 1800:“Ne nuk duhet ta lëmë dritën e diellit që ngrihet mbi magjinë”.Ashtu si rrëfyesit e tyre të tjerë para tyre, pretendimet e Meghan dhe Harry mbi jetën brenda “Firmës”, vazhdojnë që të etiketohen si sulme që tregojnë mungesë respekti, apo si blasfemi dhe sulme imorale ndaj Mbretëreshës dhe familjes së saj.

Por ndoshta ajo që duhet të pyesim, është se pse kaq shumë njerëz dhe mediat britanike, duket se kanë një problem në kërkimin e llogarisë ndaj njërit prej institucioneve tona më të fuqishme shtetërore? /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!