Shqipëria e nis me fitore Ligën e Kombeve, Xhaka shënon ndaj Izraelit

schedule22:49 - 7 Shtator, 2018

schedule 22:49 - 7 Shtator, 2018

Kombëtarja e nisi me fitore Ligën e Kombeve të Europës. Një gol i Xhakës mjaftoi për të mundur Izraelin dhe për të dhënë shpresë, pas disfatave në ndeshjet miqësore.

Izraeli largon makthin, Shqipëria e Panuçit s’është ajo e miqësoreve.

Pavarësisht rezultatit, tifozët në “Elbasan Arena” do të kishin mbetur të kënaqur edhe thjesht me atë që panë në fushë.

Një kombëtare shqiptare krejt ndryshe nga ajo që u mposht në tri miqësore radhazi prej Norvegjisë, Kosovës e Ukrainës.

Izraeli nuk gjeti përballë jo vetëm ekipin e eksperimenteve të trajnerit Kristian Panuçi, por as kampionët e çoroditur të pas-Europianit, të drejtuar ende nga Xhani De Biazi.

Nëse dy vjet më parë, përfaqësuesja u mposht 0-3 nga izraelitët në Elbasan, këtë herë ishte tjetër ndeshje.

Sukses 1-0 me golin e shkëlqyer të Taulant Xhakës, që sikur deshi të mos mbetej prapa mrekullisë së vëllait të tij, Granitit ndaj Serbisë në Botëror.

Një lojë shumë më e lidhur, sidomos në fazën sulmuese, me raste të shumta të krijuara e të humbura nga Guri, Memushaj, Xhaka, Balaj, Hyka apo Hysaj.

Mbrojtja ishte diçka tjetër veçse ishte e kuptueshme që nuk mund të luante si “beton”, tashmë që lojtarë si Mavraj apo edhe Agolli nuk janë në fushë, për arsye të ndryshme.

Qendra e saj me Veselin e Gjimshitin është diçka e re dhe thuajse e paprovuar, duke u çarë disa herë nga izraelitët, por për fat në portë ishte një Tomas Strakosha i pakalueshëm.

Diçka e re edhe Binaku në vend të Agollit, por duket se me ndihmën e shokëve edhe ai e kaloi provën.

Kombëtarja vërtet ka shanse të dalë në vend të parë në Grupin 1 në Ligën C të Ligës së Kombeve.

Kjo, duket qartë kur shikon se Skocia u mposht 0-4 në Gllazgou nga Belgjika në një miqësore./ abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!