Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, bëri me dije se presidenti Vuçiç anulloi takimin trepalësh me Thaçin dhe Mogerinin për shkak të ndryshimit në agjendën e vizitës së tij në Kosovë. Sipas zyrtarit të qeverisë së Prishtinës, nëse Vuçiç tenton të hyjë ilegalisht në Kosovë, do të përballet me pasojat.
Takimi i shumëpritur mes presidentëve Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiç për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel nuk u zhvillua. Për arsyen e këtij anullimi pati versione të ndryshme, por Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, ka treguar për Klan Kosovën, nga Brukseli, se pse nuk ka ndodhur ky takim. Ai sqaroi se arsyeja kryesore lidhet me vizitën që Vuçiç do të zhvillonte në Kosovë.
Behgjet Pacolli, ministër i jashtëm i Kosovës: “Nuk jemi kundër vizitës së tij te Liqeni i Ujmanit, por jo në këtë moment. Nëse vjen një kërkesë tjetër dhe artikulohet arsyeja e vizitës tek Ujmani, do ta konsiderojmë sigurisht, por jo në këtë moment. Ne jemi popull nikoqir i mirë, i duam mysafirët, kemi hapur dyert për këtë vizitë dhe është dashur të kuptohet në mënyrë të drejtë edhe nga presidenti Aleksandar Vuçiq por duket se ardhja e presidentit tek Ujmani nuk ka qenë krejt konstruktive. Disi është bërë në një mënyrë “mollë sherri” për mosvazhdimin e dialogut sot”.
Ndër të tjera, Pacolli sqaroi se nuk ka asnjë motiv që Vuçiç të vizitojë këtë vend, pasi aty nuk jetojnë as shqiptarë e as serbë, por janë vetëm disa punëtorë që merren me digën. Ai tha se nuk beson që presidenti serb të vizitojë liqenin e Ujmanit në mënyrë ilegale, megjithatë paralajmëroi se edhe nëse kjo ndodh ai do të haset me pasojat e veprimit të tij të paligjshëm. /abcnews.al