Ndeshje të forta dhe garë edhe në Kategorinë e Dytë. Sot është luajtur java e 13-të, teksa ekipet kryesuese në grupet respektive nuk gabojnë. Shkumbini fitoi 4-0 ndaj Internacional Tirana dhe vijon të kryesojë grupin A me 34 pikë.
Mustafaj, Lundraxhiu, Mici dhe Barbosa ishin autorët e golave për ekipin peqinas, që siguroi fitoren e 11-të sezonale. Në vend të dytë Sopoti me 28 pikë, teksa podi kompletohet nga Luzi (26 pikë), që fitoi 0-1 në transfertë kundër Adës.
Golin e fitores për Luzin e realizoi Turhani në pjesën e dytë. Feston edhe Iliria pas suksesit 1-0 në shtëpi ndaj Tërbunit. Masha gjeti rrjetën pas gjysmë ore lojë dhe i dhuroi tre pikët skuadrës nga Fushë Kruja, që mban vendin e pestë.
Maliqi nuk gaboi në shtëpi kundër Përmetit, sfidë që e fitoi 3-1. Të gjithë golat u shënuan në pjesën e parë. Kame, Rezhda dhe Xaka realizuan për vendasit, që kryesojnë grupin B me 32 pikë. Një pikë më pak numëron Butrinti, që fitoi një përballje të rëndësishme kundër Labërisë.
Ekipi nga Saranda triumfoi 2-0 në fushën e vet falë dygolëshit të Gurmës dhe tani numëron pesë pikë më shumë se Labëria e vendit të tretë (26). Naftëtari, Tepelena dhe Gramozi morën tre pikët pas fitoreve shtëpiake, teksa Skrapari-Memaliaj përfundoi 0-1. /abcnews.al
KATEGORIA E DYTË – JAVA 13
Grupi A
Ada-Luzi 2008 0-1
Iliria-Tërbuni 1-0
Shkumbini- Internacional Tr. 4-0
Grupi B
Tepelena-Delvina 1-0
Maliqi-Përmeti 3-1
Gramozi-Këlcyra 2-1
Skrapari-Memaliaj 0-1
Naftetari-Albpetrol 1-0
Butrinti-Labëria 2-0