Intervista e shumëpritur e Oprah Winfrey me Meghan Markle dhe Princin Harry do të jetë një nga ngjarjet më të kushtueshme televizive të sezonit. Wall Street Journal raporton se CBS ka paguar më shumë se 7 milionë dollarë për të drejtat e transmetimit të intervistës. CBS bleu të drejtat fitimprurëse nga Harpo Productions e Winfrey-t, gjë që i garanton rrjetit të drejtat për licensimin e intervistës në nivel ndërkombëtar.
Një zëdhënës nga duka dhe dukesha e Sussex-it është shprehur se ata nuk janë paguar për intervistën. Ende pa u transmetuar, intervista ka trazuar botën dhe ka vënë në pikëpyetje raportin e çiftit Meghan-Harry me familjen mbretërore, pasi pritet të flasin për arsyet që çuan në largimin e tyre nga Britania.
Në një video të shkëputur nga intervista, dukesha akuzon familjen mbretërore se vazhdon ende të gënjejë për ta. “Nuk e di se si ata mund të presin që pas gjithë kësaj kohe të qëndronim në heshtje kur ata po luajnë një rol aktiv në përjetësimin e gënjeshtrave të vazhdueshme për ne”, është shprehur Meghan.
Gjithashtu Meghan u akuzua për bullizëm ndaj stafit mbretëror gjatë kohës kur ishte pjesë e Pallatit Buckingham. Meghan i ka cilësuar këto akuza si një “fushatë e përllogaritur shpifjesh”, të cilat vijnë pak ditë para intervistës së dyshes, që do të flasin hapur për arsyet e largimit nga rolet mbretërore. /abcnews.al