Atletico Madrid luan përballë Real Madrid nesër. Dueli i programuar të luhet në “Wanda Metropolitana”, do të nisë prej orës 16:15. Një “finale” titulli, sidomos për skuadrën e Zidane. Djemtë e Diego Simeones kryesojnë kampionatin spanjoll me 58 pikë, pesë më tepër se kampionët e Realit, të cilët kanë luajtur edhe një ndeshje më shumë.
Simeone analizon derbin e kryeqytetit në konferencën për shtypin, aty ku zbulon edhe porositë ndaj ekipit të tij. “Dhjetë ndeshje më parë po flisnim për një distancë të madhe dhe një kampionat që nuk shkonte aspak mirë për Real Madrid dhe Barcelonën.
Këto dy skuadra janë më mirë sot dhe janë afruar me ne. Nuk është e nevojshme të vraposh, kampionati është shumë i gjatë dhe i vështirë. Që prej momentit kur u bashkova me Atletico Madrid, të gjitha ndeshjet kanë një rëndësi jashtëzakonisht të lartë.
Derbi? Duhet të zhvillojmë një ndeshje të madhe, nevojitet forcë e madhe dhe ekuilibër. Këto janë karakteristikat që mund të na dhurojnë fitoren ndaj Realit“, deklaron trajneri argjentinas. /abcnews.al