Kreu i qeverisë Edi Rama i përcolli një mesazh politikanëve në Itali që të mos i shohin varkat me frikë dhe urrejtje por me shpresë, duke iu referuar këtu emigrantëve. Rama solli në vëmendje rolin e kryebashkiakut të Brindizit të 30 viteve më parë i cili mirëpriti shqiptarë që ishin larguar nga vendi i tyre. Rama tha se ai duhet t’i japë leksioni solidariteti çdo politikani që synon të qeverisë vendin.
“Dua të bëj një tribut për një person që në atë kohë ishte një kryetar bashkie i ri i Brindizit por 7 Marsi e ktheu në një personazh që shqiptarët nuk do e harrojnë kurrë. Ai duhet t’i bëjë leksione politikanëve italianë që duan të qeverisin vendin. Mësime noti dhe shëtitje me varkë që të mos kenë frikë nga varkat. Varkat nuk sjellin fundin e botës por mundësinë për t’iu hapur botës”, tha Rama.
Pas fjalës së tij në ceremoninë pritëse, në deklaratë për mediat italiane kreu i qeverisë shpjegoi dy nismat e propozuara prej tij për të forcuar lidhjet me komunitetin shqiptar në Brindizi, konkretisht kthimin e 7 Marsit në vizitë zyrtare të përvitshme të autoriteteve shqiptare në Itali dhe hapjen e një muzeu.
“Duam ta bëjnë ditën e 7 Marsit një ditë përkujtimore, kujtimi dhe reflektimesh pa bezdisur këtu. Por thjesht duam që autoritetet shqiptare të vijnë çdo 7 Mars për të thënë faleminderit. Për muzeun do gjejmë një hapësirë të duhur për nder të qytetarëve Brindizin që do ishte pika ku fëmijët do të mësojnë se çfarë kanë bërë prindërit e tyre dhe të ndihen krenarë për të vazhduar në gjurmët e tyre.
Kujtim të bukur nuk ka, por e bukur është ajo që bën italianët dhe ajo që bënë shqiptarët duke u përshtatur këtu, Ato imazhe janë pamje dhimbje dhe vuajtje, Tani janë fillimi I një filmi me përfundim të bukur dhe të mirë. Unë dua thjesht të them faleminderit që kanë qenë këtu atë ditë dhe I hapën shtëpitë e tyre dhe zemrat e tyre, atyre që pushtuan këtë qytet.
Unë mendoj që politika nuk duhet të jetë e prirur dhe të rritet mbi frikën e njerëzve. Sepse njerëzit duhet ta shohin shpresën dhe jo urrejtjen dhe frikën. Kjo duhet të jetë e qartë, Jeni dëshmitarë të zbarkimit”, tha Rama./mv.abcnews.al