Nga Ivan Sascha Sheehan, Newsweek
Në Konferencën e Sigurisë të Mynihut që u mbajt online muajin e kaluar, presidenti amerikan Joe Biden i siguroi aleatët evropianë se Amerika është rikthyer.“Interesat tona nuk do të përputhen gjithnjë… Por ne kemi një bazë të gjerë, të përbashkët dhe të mirë për të bashkëpunuar”- paralajmëroi kancelarja gjermane Angela Merkel.
Deklarata e saj pranoi një të vërtetë të spikatur dhe të humbur që u la në hije gjatë atij takimi virtual:tensionet në marrëdhëniet transatlantike ishin rritur që shumë kohë përpara ish-presidentit Donald Trump.Dhe kjo është e natyrshme. Interesat ndryshojnë.
Por në Ballkanin Perëndimor, këto ndryshime kanë krijuar një situatë kontradiktore dhe të paqëndrueshme. Për më shumë se një dekadë, Shtetet e Bashkuara i kanë lënë Bashkimit Evropian zbatimin e politikës së saj të zhvillimit në rajon.
Ndërsa Amerika garantonte sigurinë e Kosovës, Evropa kujdesej për drejtësinë dhe shtetin e së drejtës atje. Tani, pavarësisht financimit nga të dyja palët, BE-ja po punon në mënyrë aktive kundër interesave amerikane (dhe kosovare). Ndaj, Biden duhet të angazhohet sërish për të korrigjuar politikat problematike.
Këto u vendosën përmes 2 programeve. Në fillim, BE krijoi në Kosovë Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX), misioni më i madh civil ndërqeveritar në botë, për të udhëhequr gjykatat dhe sistemet e policisë së vendit të ri.
Më pas, financoi ngritjen e Dhomat e Specializuara të Kosovës, një gjykatë kombëtare e krijuar sipas ligjeve kombëtare, për të gjykuar ata që akuzohen për krime lufte gjatë luftërave të pavarësisë. Gjithsesi, ajo do ta kishte selinë në Hagë, ku ndodhet edhe Gjykata Penale Ndërkombëtare dhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.
Sot, të vetmit kosovarë në këto gjykata janë ata ulur në bankën e të akuzuarve, janë ata që po përballen me gjyqin. Gjyqtarët, prokurorët dhe personeli ndihmës ishin dhe janë që të gjithë të huaj. Në këtë mënyrë, institucionet e krijuara për të ndërtuar besimin tek qeverisja dhe llogaridhënia midis qytetarëve të Kosovës dhe qeverisë, janë bërë më shumë vegla për të çuar përpara qëllimet e politikës evropiane, të cilat janë dukshëm të ndryshme nga ato amerikane.
Kjo ilustrohet më së miri nga sabotimi verën e vitit të kaluar i një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës, një marrëveshje që ka qenë objektivi kryesor i Amerikës në Ballkanin Perëndimor prej më shumë se 1 dekade.
Takimi për të nënshkruar një marrëveshje të ndërmjetësuar nga Uashingtoni midis presidentëve të Serbisë dhe Kosovës, u caktua për në qershor 2020. Nuk ndodhi. Disa orë para se presidenti i Kosovës Hashim Thaçi të udhëtonte në SHBA, Prokuroria e Specializuar në Hagë njoftoi se kishte ngritur ndaj tij një aktakuzë.
Udhëheqësi gueril i kthyer në politikan dhe 3 nga bashkëpunëtorët e tij, do të gjykoheshin për krime kundër njerëzimit gjatë konfliktit të viteve 1990. Takimi në Uashington, duhej të anulohej. Koha e njoftimit të kësaj akuze u duk më shumë sesa e rastësishme, sidomos pasi ishte në kundërshtim me procedurën.
Aktakuzat supozohet të bëhen publike vetëm pasi të jenë konfirmuar nga një gjykatësi i procedurës paraprake (gjë që ndodhi vetëm në nëntor 2020). Sipas prokurorit, arsyeja e shkeljes së protokollit, ishte për shkak të një “fushate të fshehtë” për të minuar gjykatën nga ana e presidentit dhe kryetarit të Kuvendit të Kosovës “për të siguruar që ata të mos përballeshin me drejtësinë”, një përpjekje kjo e dukshme për të krijuar përshtypjen e fajit që para se të fillonte gjykimi.
BE-së nuk i pëlqente marrëveshja e ndërmjetësuar nga Uashingtoni, pasi kjo e fundit synonte t’i hapte rrugën një shkëmbimi të diskutueshëm të territoreve. Serbia dhe Kosova, ishin të gatshme të diskutonin për këtë çështje. Megjithatë BE-ja nuk ishte e interesuar.
Dhe një gjykatë evropiane që synonte të bënte drejtësi për krimet e kaluara, u bë një mjet për politikën e së tashmes. Realiteti tjetër është se BE-ja nuk e pëlqen aspak udhëheqjen e Kosovës pas pavarësisë. Ajo ka të drejtë të ruajë një pikëpamje të tillë.
Por një gjykatë gjoja kosovare dhe e pavarur, është shndërruar në mjetin për t’i kthyer në vepra pikëpamjet e saj; pra për të pastruar politikanët me të cilët nuk bie dakord. Tashmë, gjykata speciale është zhytur në skandal. Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, gjyqtarja Ekaterina Trendafilova u kap duke shkelur rregullat e gjykatës, përmes informimit fshehurazi me informacione të klasifikuara të diplomatëve të BE-së, më parë se të informoheshin avokatët e palës së akuzuar.
Në një incident tjetër, kryeprokurori lejoi që të dilnin nga godina 3 kuti me dokumente konfidenciale që përmbajnë identitetin e dëshmitarëve. Përfundimi i vetëm objektiv është se nuk është udhëheqja kosovare ajo që po minon Dhomat e Specializuara të Kosovës, por janë drejtuesit e Dhomave të Specializuara, ata që po minojnë shtetin e Kosovës.
Ndoshta sjelljet e Trendafilovas nuk janë për t’u habitur. Ajo ka drejtuar procese të ngjashme në Gjykatën Ndërkombëtare Penale ndaj presidentit kenian Uhuru Kenyatta dhe zëvendësit të tij,William Ruto, që të dyja të dështuara. Edhe atëherë, informimi i diplomatëve të BE-së dhe rrjedhja e identitetit të dëshmitarëve, ishin faktorët kryesorë që kontribuuan në këtë dështim.
Në mënyrë të ngjashme, gjykata pretendoi se puna e saj ishte sabotuar nga qeveria keniane, kur shumë shpejt u bë e qartë se ishte e kundërta. Në gjykatën kosovare, shqetësimi kryesor është bërë sigurimi i dënimeve, madje edhe në kurriz të drejtësisë.
Ajo që u ngrit si një instrument për të nxjerrë para drejtësisë autorët e krimeve të kaluara, dhe për pasojë ndërtimin e institucionit të drejtësisë në vend, ka përfunduar duke u bërë një vegël në duart e burokratëve BE-së. Pavarësisht nëse u heq fondet, apo tërhiqet tërësisht nga këto institucione, presidenti Joe Biden duhet të ndërhyjë për të siguruar reformimin e gjykatës.
Çështja nuk është të ndryshohet rezultati, por të sigurohet që gjyqet të zhvillohen në përputhje me parimet e drejtësisë, gjë që nuk është parë ende nga kosovarët. Si senator dhe anëtar i pakicës në Komitetin e Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit, Bajden besonte gjatë luftërave Jugosllave se drejtësia ishte e domosdoshme.
Pas një udhëtimi në Bosnjë në vitin1993, ai u takua me udhëheqësin jugosllav Slobodan Miloshevic, të cilit itha:“Unë mendoj se ju jeni një kriminel lufte, dhe duhet të gjykoheni si i tillë!”.Tridhjetë vjet më vonë, si president i Shteteve të Bashkuara, ai duhet të parandalojë kthimin e padrejtësisë në Ballkan. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

