Një ministër i kabinetit francez u bëri thirrje vendeve të Bashkimit Evropian të mos i përdorin vaksinat ruse ose kineze për COVID-19, nëse ato nuk miratohen nga rregullatori i BE-së për barnat.
Ministri i Çështjeve Evropiane Clement Beaune paralajmëroi të premten se vaksinat ruse dhe kineze përbëjnë rrezik për unitetin e bllokut dhe për shëndetin publik.
Pas një fillimi të vështirë të fushatës së vaksinimit, që e la Bashkimin Evropian prapa disa vendeve të tjera si Britania, disa shtete anëtare në Evropën Qendrore kanë blerë ose po shikojnë mundësinë për të blerë vaksina ruse ose kineze.
I pyetur nëse secili vend anëtar po bënte thjesht “atë që dëshironte”, Ministri Beaune tha për radion RTL: “Nëse zgjedhin vaksinën kineze ose ruse, kjo mendoj se do të ishte mjaft serioze”.
Ai tha se kjo “do të përbënte problem në kuptimin e solidaritetit tonë dhe do të paraqiste një rrezik për shëndetin, sepse vaksina ruse nuk është ende e autorizuar në Evropë”.
BE-ja deri tani e ka bërë prokurimin e vaksinave në mënyrë të centralizuar, përmes organit të saj ekzekutiv, Komisionit Evropian.
Megjithatë vaksina ruse Sputnik V është miratuar ose po vlerësohet për miratim në Hungari, Sllovaki dhe Republikën Çeke.
Hungaria tashmë ka filluar imunizimin e njerëzve me vaksinën kineze Sinopharm dhe atë ruse, ndërsa Polonia po diskuton për blerjen e vaksinës kineze.
Rregullatori evropian i barnave EMA, tha të enjten se kishte filluar një vlerësim të vaksinës Sputnik V. Por edhe nëse miratohet, Komisioni Evropian nuk ka asnjë detyrim që ta përfshijë atë në listën e tij.
Evropa deri tani ka miratuar vaksinat Pfizer / BioNTech, Moderna dhe AstraZeneca / Oxford, ndërkohë që vazhdon punën për vlerësimin e vaksinave kandidate CureVac dhe Novavax.
EMA pritet të shpallë vendimin e saj mbi vaksinën me një dozë të vetme me Johnson & Johnson më 11 mars.
Hungaria ishte vendi i parë i BE-së që miratoi për përdorim emergjent vaksinën ruse në janar; Sllovakia ka porositur kontingjente të vaksinës, ndërsa Kryeministri Çek, Andrej Babis, ka thënë se vendi i tij mund të marrë masa për të përdorur vaksinën Sputnik V.
Rajoni italian i Lazios tha se do të kërkonte 1 milion doza të vaksinës ruse, nëse miratohet nga EMA, ndërsa qeveria e enklavës së vogël të pavarur të San Marinos tha se kishte filluar përdorimin e vaksinës ruse këtë javë.
Presidenti polak Andrzej Duda gjithashtu ka biseduar me udhëheqësin kinez Xi Jinping për blerjen e vaksinës kineze.
Disa në Rusi e kanë quajtur vaksinën Sputnik V si një “urë” të mundshme midis Rusisë dhe Evropës.
Komisioni Evropian thotë se nuk janë bërë bisedime në lidhje me blerjen e vaksinës Sputnik V./ VOA