Shkëmbimi i territoreve, BBC: Moment historik ose propozim për luftë

schedule18:17 - 6 Shtator, 2018

schedule 18:17 - 6 Shtator, 2018

Sipas një analize të gjatë të BBC, ideja për një ndryshim kufijsh mes Kosovës dhe Serbisë në këtë fazë dialogu mes dy vendeve, do të ishte një moment historik ose një propozim për luftë.

Kur flitet për një ndryshim të mundshëm kufijsh mes Kosovës dhe Serbisë, përgjigja varet nga kush e merrni, nga pala përkrahëse apo ajo kundërshtuese e idesë. Kështu nis analiza e gjatë e britanikes BBC rreth idesë për një shkëmbim të mundshëm territoresh mes dy vendeve. Sipas saj të dy vendet mund ta zyrtarizojnë konceptin e shkëmbimit të territoreve të premten, në takimin në Bruksel mes presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij serb Aleksandër Vuçiç.

Lugina e Preshevës në Serbinë jugore, ku popullsia është kryesisht shqiptare mund të bashkohet me Kosovën. Në këmbim, Serbia do të rivendosë kontrollin e plotë mbi zonën me shumicë etnike serbe të Kosovës në veri të lumit Ibër, i cili kalon nëpër zemër të Mitrovicës.

Përkrahësit e kësaj ideje thonë se një shkëmbim territori potencialisht do t’i jepte fund bllokimit që ka zgjatur për 10 vjet, që kur Kosova shpalli në mënyrë të njëanshme pavarësinë e saj nga Serbia vijon më tej shkrimi.

Ballkani Perëndimor ka kaluar nëpër një proces të ndryshimit të kufijve gjatë viteve 1990 dhe më shumë se 100,000 vetë u vranë dhe miliona të tjerë u detyruan t’i braktisin shtëpitë e tyre si pasojë e konfliktit etnik.

Pa përmendur në mënyrë eksplicite një shkëmbim territoresh, Mogherini përfaqësuesja e lartë për politikat e jashtme në Bashkimin Europian u ka kërkuar të dyja palëve të zgjidhin mospajtimet midis tyre.

“Unë jam e bindur se presidentët Vuçic dhe Thaçi do të arrijnë një marrëveshje ligjore për normalizimin e marrëdhënieve dhe kjo marrëveshje do të jetë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare si dhe do të ndihmojë për stabilitetin e të gjithë rajonit”, tha ajo.

Ndërkohë shefja e politikës së jashtme të BE, Federica Mogherini, tha këtë javë se është koha për t’i dhënë fund konfliktit Kosovë-Serbi. Gjermania ka qenë e zëshme në kundërshtimin e saj ndaj ndryshimeve kufitare, por është e paqartë për shtetet e tjera të BE’së. Nëse do të shtrohej pyetja se pse ky propozim vjen pikërisht në këtë momend atëherë përgjigja do të ishte se ekzistojnë shpërblime të rëndësishme për të dyja palët, nëse palët mund të bien dakord për një marrëveshje.

Kosova më në fund mund të njihet nga 80 vende, të cilat kanë refuzuar ta pranojnë pavarësinë e saj dhe Serbia mund ta përmbushë një kusht kyç për anëtarësimin e saj në BE.

Me Maqedoninë dhe Greqinë që arritën të zgjidhin një mosmarrëveshje të gjatë rreth emrit, ekziston një moment i freskët për të zgjidhur një tjetër problem ballkanik, përfundon analiza./abcnews.al