Nga Stephen Collinson, CNN
Donald Trump nuk është penduar aspak për dhunën vdekjeprurëse, që nxiti me gënjeshtrat e tij rreth zgjedhjeve presidenciale, gjatë kryengritjes kundër Kongresit Amerikan. Kjo gjë ishte shumë e qartë të dielën kur ish-presidenti e vuri në dijeni Partinë Republikane se synon ta përdorë mbështetjen që ka në bazë, si një mënyrë për të garuar sërish në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.
Në fjalimin e tij të parë publik që prej kohës kur u largua nga Shtëpia e Bardhë, ai sulmoi hapur gjyqtarët e Gjykatës së Lartë për mosndërhyrje në proces dhe dhënien e fitores në tavolinë për të, pikërisht të zgjedhjeve që ai i humbi qartazi përballë presidentit Joe Biden.
“Atyre duhet t’u vijë turp nga vetja për atë që i kanë bërë vendit tonë…Gjykata e Lartë nuk kishte guximin për të bërë asgjë në lidhje me atë vjedhje”- u shpreh Trump në një fjalim të ashpër në Konferencën e Veprimit Politik Konservator (CPAC) në Orlando të Floridas, duke iu referuar pretendimeve të rreme të manipulimit të zgjedhjeve, që u hodhën poshtë nga shumë gjykatës.
I parë për herë të fundit duke u larguar me turp nga Uashingtoni, retorika e ashpër e ish-presidentit, nënvizoi fiksimin e tij për hakmarrje, në një kohë kur vëmendja e shumicës
së kombit që nuk është në kampin e tij është e përqendruar tek problemet më emergjente.
Shpërndarja e një vaksine të tretë kundër Covid-19 -të prodhuar nga Johnson & Johnson – po ngjall një shpresë të re se një lloj normaliteti mund të rikthehet nga vera e këtij viti.
Në varësi të mënyrës se si do të diskutohet në Senat, miratimi nga Kongresi i planit të shpëtimit prej 1.9 trilion dollarësh i Joe Biden, mund të përshpejtojë fundin e një pandemie, të cilën ish-Presidenti e injoroi plotësisht gjatë javëve të tij të fundit në detyrë.
Megjithatë ish-komandanti i forcave të armatosura, ishte mbyllur sërish në realitetin e tij imagjinar por të dëmshëm, që e besojnë miliona ndjekës të tij, sipas të cilit ai ishte viktimë e një përpjekje masive të manipulimit të zgjedhjeve.
Hera e fundit që Trump përdori një fjalor të tillë si ai i së dielës,ishte ditën kur Kongresi po certifikonte fitoren e Biden në zgjedhjet e nëntorit 2020,ndërsa turma e nxitur prej tij pushtoi Capitol Hill, duke synuar vrasjen e zëvendëspresidentit të atëhershëm Mike Pence, që refuzoi të shkelte ligjin për të mbajtur me çdo kusht Trumpin në pushtet.
Komentet e tij të fundit tregojnë se lufta për mbrojtjen e institucioneve demokratike amerikane dhe zgjedhjeve të lira, nuk mbaroi kur ai u largua nga Shtëpia e Bardhë, por se
ajo do të jetë një luftë thelbësore në prag të zgjedhjeve të ardhshme presidenciale.
Ndërsa republikanët në nivel lokal dhe shtetëror po synojnë që të ngushtojnë diferencat
e votave me demokratët, Trump, që u përpoq t’i detyronte zyrtarët në Xhorxhia të vidhnin zgjedhjet për të, i bëri thirrje Partisë Republikane që të nxjerrë jashtë ligjit votimin e hershëm me postë për të siguruar “zgjedhje të ndershme”, dhe bëri pa asnjë provë insinuata mbi parregullsitë e procesit në Detroit dhe Filadelfia.
Trump tha se votimi duhet të zhvillohet vetëm në Ditën e Zgjedhjeve, ndërsa bëri thirrje që gjyqtarëve të pavarur t’u ndalohet gjykimi i mosmarrëveshjeve zgjedhore. “Republikanët duhet të bëjnë diçka për këtë”- tha Trump. Paralajmërimi i ish-presidentit mund të jetë i dëmshëm, pasi ai po e kushtëzon mbështetjen e tij për kandidatët republikanë në zgjedhjet
e mesit të mandatit të vitit 2022, me mbështetjen e pretendimeve të tij të rreme mbi “zgjedhje te vjedhura” të vitit 2020.
Në këtë mënyrë, ndikimi i Trump mund ta dëmtojë besimin në drejtësinë e zgjedhjeve në SHBA, pra themelin e demokracisë amerikane për muajt apo vitet e ardhshme. Nga ana tjetër, ish-presidenti i përmendi me emër ligjvënësit republikanë që votuan për ta fajësuar atë në Kongres dhe Senat për sulmin e tij ndaj Kushtetutës, përfshirë kongresmenët republikanë Liz Cheney nga Wyoming, Adam Kinzinger nga Ilinois, senatorët Ben Sasse nga Nebraska, dhe Mitt Romney nga Utah.
Kjo tregon qëllimin e tij për t’u hakmarrë në zgjedhjet e para të ardhshme ndaj kundërshtarëve të tij në parti. Mesa duket, fjalimi i tij synonte që të radikalizonte më
Shumë ndjekësit e tij, që kanë treguar tashmë se janë të gatshëm ta përqafojnë dhunën.
“Madje unë mund të vendos që t’i mund ata për herë të tretë”- tha ish-presidenti me një mandat, që nuk e fitoi kurrë votën e popullit, dhe nuk arriti të kalojë nivelin 50 për qind në sondazhe gjatë kohës që ishte në detyrë. Disa herë Trump i bëri të ditur turmës së tij entuziaste, se ai mund të përfundonte sërish në Zyrën Ovale.
“Me ndihmën tuaj, ne do të fitojmë sërish shumicën në Kongres. Ne do të rifitojmë edhe Senatin. Dhe pastaj një president republikan do të ketë një kthim triumfues në Shtëpinë e Bardhë”- deklaroi Trump. Sjellja e vrazhdë e Trump dhe sulmet ndaj pasardhësit të tij menjëherë pas largimit të tij nga detyra, përfaqësojnë një devijim historik.
Megjithatë, Trump ka shfaqur shpesh sjellje të tilla edhe si president. Dhe në fakt, një sjellje e përmbajtur do të përbënte habi për një ish-president që ka vënë shpesh interesat personale mbi ato kombëtare. Fjalimi i Trump, ishte një elegji e dobët mbi presidencën e tij, dhe një sulm paragjykues mbi politikat e hershme të Joe Biden.
Ndërkohë,pelegrinazhi i politikanëve të vjetër republikanë, përfshirë kandidatin e mundshëm për president në vitin 2024, senatorin e Teksasit Ted Cruz dhe atë të Misurit Josh Hawley i Misurit, treguan mbështetjen e pandërprerë për Trump nga baza e republikanëve.
Nuk kishte asnjë dyshim në lidhje me dëshirën e ish-presidentit për të mbetur figura dominuese në Partinë Republikane. Çështja është nëse shfaqje të tilla si ajo e së dielës, do të ruajnë jehonën e tyre për disa muaj, apo rruga e pashmangshme e Trump drejt daljes jashtë vëmendjes, do ta dëmtojë karizmin e tij edhe në mesin e adhuruesve më fanatikë.
Udhëheqësit republikanë në Uashington, si kreu i pakicës në Senatit Mitch Mcconnell, duket se shpresojnë në skenarin e fundit. Një nga senatorët që votoi pro dënimit të Trump gjatë impeachmenti-it të tij, Bill Cassidy i Luizianës, tha se kontrolli i ish-presidentit mbi partinë do të zbehet në fund.
“Nëse do të bëjmë idhull një person, do të humbasim. Dhe kjo është diçka që u pa qartë edhe në zgjedhjet e fundit”-tha Cassidy për CNN.Trump e akuzoi Biden për fillimin më të keq të një presidence të re në histori, edhe pse popullariteti i demokratit është në nivele që paraardhësi i tij nuk i arriti dot kurrë. Ai kërkoi rikthimin e menjëhershëm të fëmijëve në shkolla, duke luajtur me emocionet e prindërve të stresuar, por duke injoruar neglizhencën e tij në luftën kundër pandemisë. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al

