Rastet globale me Covid rriten për herë të parë në 7 javë, OBSH: Vaksinat nuk janë zgjidhja e vetme

schedule21:42 - 2 Mars, 2021

schedule 21:42 - 2 Mars, 2021

Numri i rasteve globale me koronavirus u rrit javën e kaluar për herë të parë në shtatë javë, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Drejtori i Përgjithshëm i OBSH, Tedros Adhanom Ghebreyesus u shpreh se rritja e rasteve ishte “zhgënjyese por jo befasuese” dhe u bëri thirrje vendeve të mos i ndalojnë masat për të luftuar sëmundjen.

“Është shumë herët për vendet që mbështeten vetëm në programet e vaksinimit që të braktisnin masat e tjera,” tha ai.

Rastet e raportuara u rritën në katër nga gjashtë rajonet e OBSH-së: Amerika, Evropa, Azia Juglindore dhe Mesdheu lindor. Rritja vjen në një kohë kur në shumë vende të botës po shpërndahen dhe administrohen vaksinat kundër koronavirusit.

Vendet që kanë vaksinuar më shumë njerëz, përfshirë Izraelin, Mbretërinë e Bashkuar dhe SHBA- kanë regjistruar ulje në numrin e vdekje dhe shtrimeve në spital.

Mike Ryan, eksperti i urgjencave në OBSH-së, tha se lufta globale kundër koronavirusit është në një gjendje më të mirë tani sesa ishte 10 javë më parë, para se të kishte filluar shpërndarja e vaksinave. Por, shtoi ai, është shumë herët për të thënë që virusi po vihet nën kontroll. sb/abcnews.al/