Lushnja edhe këtë vit mbetet vetëm me një çerdhe

schedule15:59 - 5 Shtator, 2018

schedule 15:59 - 5 Shtator, 2018

Një çerdhe do të mbledhë të gjithë fëmijët e qytetit të Lushnjës. Fluksi sapo ka nisur dhe edukatoret e kanë të pamundur të mbajnë një numër kaq të madh fëmijësh vetëm nëper tre ambiente.

Godina aktuale nuk mund të përballojë numrin gjithnjë në rritje të fëmijëve. Ajo është ndërtuar 50 vjet më parë dhe nuk përmbush asnjë kriter të standarteve aktuale. Qershori i këtij viti u mbyll me premtimin se në shtator do të kishte përfunduar ndërtimi i një tjetër godine, por punimet janë ende pa përfunduar.

Të hënën nisën regjistrimet e reja. Deri tani, 28 prindër kanë sjellë për herë të parë fëmijët e tyre në çerdhe. Fluksi sapo ka nisur dhe edukatoret e kanë të pamundur të mbajnë një numër kaq të madh fëmijësh vetëm nëpër tre ambiente. Nga 12 fëmijë që duhet të ketë normalisht një grup, ato kanë mbi 18. Për personelin drejtues është urgjente shpërngulja e çerdhes në një tjetër ambient, punimet e së cilës kanë nisur, por nuk kanë përfunduar. Mjaft prej prindërve, nuk po i sjellin fëmijët sepse shpresojnë të ndodhë hapja e një tjetër godine të re.

Sheje Korçari, drejtoresha e çerdhes: “Për momentin jemi shumë të ngarkuar, se dhe fëmijët që e kanë për të kaluar në kpsëht, në momentin që flas janë larguar. Kam fëmijë të moshës 3 vjeç dhe 26 muajsh.”

Në fund të shtatorit, Bashkia e Lushnjes ka premtuar se do të përfundojë punimet e një godine të re për çerdhen e vetme të qytetit. Rikonstruksioni ka nisur dhe gjithçka po kryhet me fondet e bashkisë qe kapin vlerën e 5,3 milionë lekëve. Kapaciteti i mbajtjes do të jetë për 80 fëmijë.

Muharrem Sharka, drejtor i arsimit në bashki: “Kjo është pronë e Bashkisë Lushnje, por aktualisht u mundësua financimi me të ardhurat e bashkië për ta vënë në shërbim të komunitëtit për të rritur shërbimet nga ana cilësore dhe sasiore.”

Në të njëjtën godinë me çerdhen aktuale ndodhen edhe zyrat e rajonit numër dy, ç’ka e bën të pamundur gjetjen e ambienteve shtesë. Ndërsa godina që po rikonstruktohet është boshatisur nga familjet të cilat kishin zaptuar ambientet e saj në vitin 1997. Shumë kopshte dhe çerdhe të tjera të qytetit të Lushnjes janë akoma të zaptuara nga familjet që nga viti ‘97. Gjashtë kopshte dhe një çerdhe që ndodhen nën administrimin e Bashkisë Lushnje, e kanë të vështirë menaxhimin e kërkesave gjithnjë e në rritje për regjistrimin e fëmijëve./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!