Mbrëmjen e djeshme në mënyrë të befasishme Fabrizio Miccoli dhe Francesco Moriero dhanë dorëheqjen nga drejtimi i Dinamos, respektivisht në rolet e zëvendëstrajnerit dhe trajnerit.
Në letrën e dorëheqjes nuk shkruhej asnjë shkak konkret, por Tuttomercatoëeb zbardhi më shumë rreth këtij vendimi të dyshes së njohur. Media e njohur kontaktoi me Miccolin, i cili tregoi shkaqet e largimit.
Ai u shpreh se nuk ishin kushtet e duhura për të vazhduar dhe nuk ishin paguar për punën e bërë. Gjithashtu lë të kuptohet se ka pasur mosmarrëveshje me presidentin Marco Pontreli.
Ky i fundit ka reaguar në lidhje me largimin e dy trajnerëve, pa folur rreth dorëheqjes së tyre, por duke lënë të kuptohet se trajneri i ri do të jetë nga Shqipëria. Pontreli flet më fjalë të mëdha për projektin e tij te Dinamo dhe premton besnikëri.
“Dinamo nuk ka kohë për të humbur dhe për të folur. U japim mbështetje trajnerëve shqiptarë, atyre që janë rritur nga familja Dinamovite. Dinamo është më e madhe se emrat e përveçëm.
Zonja dhe zotërinj, të nderuar tifozë, unë kam vetëm një keqardhje të madhe, që nuk mund të shpreh mendimet e mia, ndjenjat dhe dëshirat e mia në gjuhën shqipe. Gjuhë e njerëzve krenarë, direkt, reale si gjithë populli.
Kjo do të jetë aventurë e mrekullueshme futbolli. Kam derdhur energji, besova, u gëzova, vuajta si secili prej jush. Mbërrita në këtë tokë madhështore me vetëdijen se përkushtimi, sakrifica dhe pasioni shpërblehen dhe njihen.
Ndihem si lideri juaj i futbollit, personi im dhe fytyra ime do të jenë gjithmonë përpara çdo komponenti të Dinamos tonë për ta mbrojtur dhe për t’u kujdesur. Ju keni fjalën time, fjalën e një njeriu, që nuk do ta braktisë kurrë projektin derisa të ketë arritur maksimumin e mundshëm.
Futbollistët janë për mua si fëmijët, tifozët vëllezër, çdo pikë energjie që do të hidhet do të jetë vetëm në funksion të përmirësimit të ekipit”, shkruan ai në faqen e Dinamos në Facebook. /abcnews.al