Ndryshimet në buxhet, Denaj: Ruhen parametrat makro-fiskal

schedule12:40 - 1 Mars, 2021

schedule 12:40 - 1 Mars, 2021

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj,  këtë të hënë në seancën plenare ka prezantuar ndryshimet e bëra në buxhetin e shtetit 2021, ku u shpreh se, ruhen parametrat makro-fiskal.

Në fjalën e saj ministrja është shprehur se në Aktin e fundit Normativ të Buxhetit të vitit 2020 u mundësua një financim shtesë, në masën 673 milionë lekë, për mbarëvajtjen e plotë të zgjedhjeve të vitit 2021 në dy projekte prioritare të KQZ, përkatësisht: “Projektin e Identifikimit Elektronik te Zgjedhësve” dhe “Projektin pilot të Votimit dhe Numërimit Elektronik”.

Sipas saj ndryshimet në këtë Akt Normativ janë të lidhura ngushtë me procesin e zgjedhjeve të përgjithshme dhe me angazhimet dhe shpenzimet, që burojnë prej tyre, sidomos në zbatim të Kodit të ri Zgjedhor të miratuar së fundmi.

“Me buxhetin e vitit 2021 nisëm një vit të rimëkëmbjes ekonomike për Shqipërinë dhe gjithë shqiptarët. Me tatimfitimin 0 për gjithë bizneset e vogla, me rritjen e pragut të TVSH-së, ku të gjitha bizneset me qarkullim deri në 10 milionë lekë nuk do të paguajnë TVSH-në, me një pagë minimale të rritur deri në 300 mijë lekë, me investime publike me 7.2% të PBB-së, me ndihmë ekonomike të dyfishuar, kemi kaluar këtu në Kuvend një buxhet shumë të rëndësishëm për ringritjen ekonomike. Gjithashtu, kemi akorduar një fond shumë të rëndësishëm për shëndetësinë dhe sot jemi dëshmitarë të nisjes së një vaksinimi në të gjithë qytetet e Shqipërisë, duke synuar jo vetëm ruajtjen e jetës së shqiptarëve, por edhe një perspektivë drejt hapjes së ekonomisë.

Megjithatë ky nuk është vetëm një vit i ringritjes ekonomike, i daljes nga Covid dhe Rindërtimi, por është një vit zgjedhor. Dhe në këtë kohë është shumë e rëndësishme të marrim të gjitha angazhimet tona në përputhje të plotë me detyrimet që dalin nga Kodi i Ri Zgjedhor”, ka thënë ajo.

Ndryshimi tjetër i paraqitur në buxhet është i lidhur me fondit rezervë të Këshillit të Ministrave, që është reflektuar një rritje e tij prej 1 miliardë lekë, në kuadër të shpenzimeve eventuale shtesë që mund të burojnë nga implementimi i përcaktimeve të Kodit të Ri Zgjedhor.

Ndërsa lidhur me ndryshimin në zërin e të ardhurave tatimore, është reflektuar rritja e tyre në të njëjtën vlerë, pra 3.42 miliardë lekë, përkatësisht në zërin e tatimit mbi vlerën e shtuar (TVSH), me qëllim balancimin e rritjes së shpenzimeve të mësipërme./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!