Irani ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara duhet të heqin sanksionet ndaj Iranit, nëse Uashingtoni dëshiron të zhvillojë bisedime për të shpëtuar marrëveshjen bërthamore të vitit 2015.
“Administrata e Presidentit Joe Biden duhet të ndryshojë politikën e presionit të Trump ndaj Teheranit … Nëse ata duan bisedime me Iranin, së pari ata duhet të heqin sanksionet,” tha zëdhënësi i ministrisë së Jashtme Saeed Khatibzadeh.
Tensionet janë rritur që kur SHBA-të braktisën marrëveshjen bërthamore me Iranin më 2018.
Presidenti i atëhershëm, Donald Trump, rivendosi sanksione duke detyruar Iranin të rinegociojë marrëveshjen e vitit 2015, të njohur si Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit (JCPOA).
Shtetet e Bashkuara tani kanë shprehur qëllimin për t’u rikthyer te marrëveshja nën presidentin Joe Biden, por Irani ka kundërshtuar duke deklaruar se do të jetë i gatshëm për bisedime vetëm nëse SHBA heq sanksionet./abcnews.al