VIDEO/ Broja shënon dhe dhuron asist, Muçi debuton me Legia Warsaw

schedule22:20 - 27 Shkurt, 2021

schedule 22:20 - 27 Shkurt, 2021

Shënojnë Armando Broja, asiste të Edon Zhegrovës dhe Shkëlqim Demhasajt, teksa Ernest Muçi debuton me Legia Warsaw në kampionatin polak. Vitesse fitoi 4-1 në fushën e vet kundër Venlos dhe sulmuesi i kombëtares kuqezi la shenjën e vet në këtë ndeshje.

Broja u tregua altruist në minutën e tretë. Pasi iu shkëput bukur mbrojtjes kundërshtare dhe doli i vetëm me portierin, 19-vjeçari nga Malësia e Madhe dhuroi një asist për Lois Openda, me këtë të fundit që dërgoi topin lehtësisht në rrjetë.

Goli për Brojën erdhi tetë minuta përpara fundit të ndeshjes. Kombinime të bukura me sllovakun Bero dhe finalizim i lojtarit të talentuar shqiptar, i cili gjeti golin e nëntë sezonal me Vitesse në Eredivisie.

Edon Zhegrova dhuroi në minutat shtesë asistin e golit të vetëm të Basel në sfidën jashtë fushe kundër St Gallen, që vendasit e fituan me rezultatin 3-1.

E njëjta gjë edhe për Demhasajn në divizionin e dytë të futbollit zviceran. Sulmuesi dardan dhuroi asistin e golit të Grasshopers, që e mbylli në barazim 1-1 ndeshjen shtëpiake kundër Schaffhausen.

Legia Warsaw fitoi 1-2 në fushën e Gornik Zabrze. Ernest Muçi u fut në fushë në 45 minutat e dyta, duke bërë debutimin zyrtar në kampionat me ekipin e famshëm polak. Fitorja e sotme e konfirmon Legian në krye të kampionatit. /abcnews.al