Këtë të shtunë nisi edhe procesi i vaksinimit për bluzat e bardha në qytetin e Korçës.
Shefja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në Institutin e Shëndetit Publik, Silva Bino në një komunikim për mediat tha se ditën e sotme janë rreth 500 doza nëpërmjet të cilave pritet të vaksinohen mjekë dhe infermierë.
“Sot fillon vaksinimi për Korçën dhe do të hapet një pikë vaksinimi për të gjithë prefekturën. Do të vaksinohen ato që përfshihen në këtë prefekturë. Fillimisht do të nisë me bluzat e bardha për të vijuar me moshat e treta dhe persona me sëmundje bashkëshoqëruese dhe për të vijuar më të tej për të gjithë popullatën deri në moshat 18-vjeç.
Vaksina ka për të gjithë personelin shëndetësor për tu vaksinuar me të dyja dozat. Procesi do të vijojë sipas rekomandimit të ekspertëve të Komitetit teknik. Vaksina e aplikuar në Korçë është vaksina Pfizer, deri tani nuk kemi pasur asnjë efekt anësor të dëmshëm. Sasia e dozave që kemi për sot janë rreth 500, por që në bazë të planeve 5 ditore do të vijnë vaksinat nga Instituti i Shëndetit Publik”, tha Bino.
Më tej Bino tha se vaksinimi masiv në popullatë do të fillojë pasi të ketë përfunduar procesi i vaksinimit të të gjitha bluzave të bardha.
“Pasi të vaksinohen të gjitha stafet dhe grupet në risk do të fillojë vaksinimi masiv sipas llojeve të vaksinave. Pfizer e ka deri tani nga 18-vjeç e lart. Ne po përpiqemi të kemi skenarin maksimal që është 14 muaj për vaksinimin e popullatës”, u shpreh ajo.
Sa i përket masave shtrënguese Bino tha se kjo do të vendoset në varësi të situatës, ndërsa shtoi se një person që vaksinohet të paktën duhet të ketë kaluar të paktën 5 javë nga marrja e dozës së parë që të quhet plotësisht i mbrojtur dhe gjatë gjithë kësaj kohe njerëzit duhet që të mbajnë maskat.
E pyetur për gazetarët e terrenit, Bino tha se do të vaksinohet pasi të vaksinohen të gjitha grupet e riskut.
/abcnews.al/