Si mund ta forcojë Macron influencën e BE-së në Ballkanin Perëndimor

schedule11:56 - 26 Shkurt, 2021

schedule 11:56 - 26 Shkurt, 2021

Europian Council on Foreign Relations

Zgjedhjet e parakohshme të këtij muaji në Kosovë i dhanë fitoren partisë së majtë Vetëvendosje. Por gjithashtu kjo fitore ngriti pikëpyetje të tjera në lidhje me të ardhmen e dialogut Kosovë-Serbi.

Përpara sondazhit, udhëheqësit e sapo zgjedhur të Kosovës dhanë sinjale të qarta se dialogu nuk ishte ndër përparësitë e tyre. Nëse dialogu do të ketë sukses, do të ketë nevojë për një shtytje nga një vend tjetër, veçanërisht nga personalitet e jashtme politike.

Një personalitet i tillë mund të jetë Emmanuel Macron.

Marron prej kohësh ka demonstruar një përkushtim ndaj Ballkanit Perëndimor. Në vitin 2018 ai priti ish-presidentin Hashim Thaçi në një takim pune në Paris ku shprehu gatishmërinë e tij për të çuar përpara dialogun.

Macron gjithashtu është përpjekur për të forcuar marrëdhëniet e Francës me Serbinë, duke mirëpritur presidentin e saj, Aleksandar Vuçiç, në Paris në fillim të këtij muaji.

Vetë Macron vizitoi Serbinë në 2019, kur u nënshkruan marrëveshje të shumta bilaterale, përfshirë investimet në aeroportin e Beogradit , për ndërtimin e metrosë së Beogradit dhe një marrëveshje midis ministrive të mbrojtjes për blerjen e sistemeve të mbrojtjes ajrore franceze Mistral 3 me rreze të shkurtër mbrojtje .

Macron ka bërë që prezenca e tij të jetë e rëndësishme në rajon edhe në mënyra të tjera, jo më pak në 2019 kur bllokoi perspektivat e pranimit të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në BE.

Një pengesë e madhe në historinë e marrëdhënieve të  Bashkimit Europian-Ballkan Perëndimor është që Macron beson në reformimin e BE-së para se të pranojë kandidatë të rinj.

Kjo ka qenë zhgënjyese për liderët politikë në Ballkanin Perëndimor por edhe për Angela Merkel, e cila ka kohë që ka bërë presion për zgjerimin e rajonit. Qëndrimi i Macron ka dobësuar edhe vetë BE-në: vetoja e Francës dy vite më parë diskreditoi shumë politikën e zgjerimit si një instrument të politikës së jashtme dhe midis vendeve me shpresë minoi besimin nëse ata mund të mbështeteshin te Brukseli dhe vendet kryesore anëtare.

Në vitin 2020, zgjerimi i BE-së pësoi një tjetër ngërç kur Bullgaria vendosi veto në hapjen e bisedimeve me Maqedoninë e Veriut .

Kjo për Ballkanin Perëndimor përbën një kërcënim sigurie jo vetëm për vendet e pambrojtura të rajonit, por gjithashtu krijon rreziqe për BE-në dhe vendet anëtare të saj. Për momentin, nuk ka arsye që Macron të ndryshojë qëndrimin e tij.

Por, nëse ai do ta bënte këtë, kjo do të kishte pasoja të konsiderueshme në rajon. Një ndryshim i tillë në pozitë mund të çojë përpara progresin në dy fusha: marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë dhe forcimin e sigurisë në rajon.

DIALOGU KOSOVË-SERBI

Konflikti i zgjatur midis Kosovës dhe Serbisë është një çështje madhore që kërkon vëmendje të veçantë dhe mbështetje politike nga BE. Gjetja e një zgjidhjeje të qëndrueshme është bërë gjithnjë e më komplekse në vitet e fundit.

Dialogu i lehtësuar nga BE-ja ka hasur në shumë pengesa, të tilla si diskutimi i shkëmbimit të territorit midis presidentëve të dy vendeve në 2018 dhe 2019. Çështja e shkëmbimit të territorit është duke u diskutuar, por BE-ja ende po lufton për të rënë dakord mbi një qëndrim të unifikuar për dialogun dhe për vetë Kosovën.

Franca dhe Gjermania së bashku kanë fuqinë më të madhe në rajon nga të gjitha vendet e BE-së. Në veçanti Merkel ka treguar se ka  marrëdhënie të drejtpërdrejta me udhëheqësit rajonalë dhe gjatë 15 viteve të fundit ka mbajtur një qëndrueshmëri në politikën e Ballkanit Perëndimor.

Berlini, Parisi, Brukseli dhe Uashingtoni mirëpritën rezultatet e zgjedhjeve të fundit por mbeten të shqetësuar nëse udhëheqësit e rinj kosovarë do të përfshihen në dialog me Serbinë.

Kryeministri i ardhshëm i Kosovës, Albin Kurti, ka kritikuar dialogun e udhëhequr nga qeveritë e mëparshme. Megjithatë, në mesazhet e urimit që ai mori nga Brukseli dhe nga Berlini dhe Parisi , është e qartë se BE është e prirur të vazhdojë lehtësimin e dialogut.

Macron mund t’i japë dialogut një shtysë duke e bërë të qartë mbështetjen e tij të plotë për forcimin e politikës së jashtme të BE-së ndaj rajonit dhe në veçanti drejt dialogut.

BE-ja duhet të demonstrojë se është e aftë të marrë përsipër çështjet kryesore në kontinentin e saj, qoftë brenda BE-së apo në fqinjësinë e saj. Prandaj, mbështetja politike e Macron në Europë për këtë proces është thelbësore.

Nuk ka dyshim se Joe Biden do të vazhdojë mbështetjen e tij për Kosovën dhe për një marrëveshje paqeje ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Presidenti amerikan tashmë e adresoi këtë çështje zyrtarisht në letrat drejtuar Vuçiqit dhe presidentes të përkohshme të Kosovës, Vjosa Osmani .

Dhe Biden – ndryshe nga Donald Trump  do të bindë partnerët e tij europianë për ta çuar përpara këtë çështje europiane. Më në fund, nëse Macron vazhdon të mbrojë konceptin e autonomisë strategjike Europiane dhe një “Europë më të fortë politike”, duke e vendosur veten në krye të kësaj, ai nuk ka mundësi të lejojë që interesat europiane në Ballkanin Perëndimor të ndikohen nga Rusia dhe Kina.

SIGURIA NË BALLKANIN PERËNDIMOR

Një marrëveshje e qëndrueshme midis Serbisë dhe Kosovës që përfshin njohjen e ndërsjellë dhe marrëdhëniet e fqinjësisë duket e pamundur për sa kohë që Franca refuzon të ndryshojë pozicionin e saj për zgjerimin e BE-së.

Pa Francën që mbështet procesin e pranimit të Serbisë, Beogradi nuk do të pranojë një marrëveshje paqeje me Kosovën. Vuçiç do të jetë mjaft i lumtur për të ruajtur status quo pa marrëveshje me Kosovën, e cila paraqet një shqetësim të vërtetë të sigurisë në një periudhë afatmesme.

Nëse Macron dëshiron të qëndrojë besnik në ndjekjen e tij të autonomisë strategjike europiane, atëherë ai duhet të jetë më vigjilent ndaj rolit të Europës në sigurinë e Ballkanit Perëndimor.

Sidoqoftë, nëse Macron ruan pozicionin e tij aktual mbi zgjerimin, atëherë ai duhet të eksplorojë alternativa të tjera që do të forconin pozicionin e tij karshi Serbisë dhe të gjithë rajonit.

Ai ka bërë disa përpjekje por nevojitet edhe më shumë. Serbia mbetet aleate e Rusisë në Ballkanin Perëndimor dhe një blerëse e pajisjeve ushtarake dhe mbrojtëse ruse – përfshirë blerjen e vitit të kaluar të sistemeve të raketave të mbrojtjes ajrore ruse Pantsir S1. Në vitin 2020 ishte gjithashtu vendi i parë europian që bleu dronë ushtarakë kinezë CH-92A dhe sisteme të mbrojtjes ajrore FK-3.

Prandaj Franca duhet të forcojë bashkëpunimin e saj me Serbinë dhe Kosovën në aspektin e sigurisë. Kjo mund të përfshijë bashkëpunimin ushtarak dhe të inteligjencës, sigurinë kibernetike dhe luftën kundër dezinformimit.

Ajo gjithashtu duhet të bindë shtetet dhe institucionet e tjera europiane të ndjekin një politikë më të rëndësishme europiane të sigurisë për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Kjo është thelbësore për të siguruar që interesat e Europës të mos ndikohen nga Rusia në Ballkanin Perëndimor. Hapja e një zyre ruse të mbrojtjes në Serbi në vitin 2020 është një shembull i angazhimit aktiv të vendit me Serbinë, me synimin për të ruajtur ndikimin e saj në rajon.

Ky duhet të jetë një shkak real i shqetësimit jo vetëm për Kosovën dhe Bosnjën, por edhe për Francën dhe vendet e tjera europiane. Franca gjithashtu mund të bëjë më shumë për Kosovën. Mund të fillojë duke hequr veton mbi liberalizimin e vizave të BE për kosovarët – një politikë e padrejtë që mbështetet në argumente të paqëndrueshme për të vetmin vend të Ballkanit Perëndimor të mbetur pa një regjim vizash me BE-në.

Macron mund të punojë gjithashtu për të bindur pesë vendet e mbetura anëtare të BE-së që nuk e njohin Kosovën të ndryshojnë pozicionin e tyre dhe të mbështesin rrugën e saj të integrimit në BE (pa marrë pëlqimin e shumicës nga të 27 vendet anëtare të BE, Kosova nuk do të vazhdojë procesin e saj të integrimit në BE).

Kjo deri më tani ka qenë një pengesë e madhe për një BE-në që dëshiron të demonstrojë një politikë të jashtme të unifikuar në sferën e saj. Më në fund, Kosova  aspiron anëtarësimin në NATO dhe mbështetet fuqimisht nga Shtetet e Bashkuara.

Si një forcë lëvizëse brenda BE-së, Franca mund të jetë lojtari kryesor që rindez përparimin e   Ballkanit Perëndimor në BE.

Si fillim, ajo duhet të rishikojë pozicionin e saj ndaj zgjerimit, i cili mbetet leva më e fortë – dhe ndoshta vetëm reale që Macron do të japë në përpjekjet për të arritur rezultate konkrete që përfitojnë nga siguria europiane afatgjatë e Europës.

Dhe, nëse Macron dëshiron të qëndrojë besnik në ndjekjen e tij të autonomisë strategjike europiane, atëherë ai duhet të jetë më vigjilent ndaj rolit të Europës në sigurinë e Ballkanit Perëndimor.

Kjo bëhet veçanërisht e rëndësishme me largimin e afërt nga politika e Merkel, të cilit vendet e Ballkanit Perëndimor në të kaluarën gjithmonë kërkonin mbështetje dhe solidaritet. Përktheu Sonila Backa/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!