Ky është viti i Smajlajt, rrëmben të artën edhe në Serbi

schedule15:37 - 25 Shkurt, 2021

schedule 15:37 - 25 Shkurt, 2021

Atleti i kërcimit së gjati, Izmir Smajlaj po kalon një nga sezonet më të mirë të karrierës së tij, ndërsa fitoi medaljen e tretë të artë që nga fillimi i vitit 2021. Suksesi i radhës ishte në Mitingun e Hapur të Serbisë në Salla të Mbyllura në Beograd, ku triumfoi mbi konkurrentët me rezultatin 7.91 metra.

Me të njëjtin rezultat, Smajlaj fitoi medaljen e artë në Kampionatin Ballkanik, që u zhvillua pak ditë më parë në Mersin, Turqi. Kjo ishte medalja e tretë në total, ndërsa një herë është shpallur nënkampion Ballkani.

Atleti më i mirë mashkull i vendit e nisi me këmbën e mbarë vitin 2021, duke fituar vendin e parë në turneun në sallë të mbyllur në Vjenë të Austrisë. 27-vjeçari nga Shkodra arriti rezultatin 7.89 metra dhe mori medaljen e artë. Shkodrani e vlerësoi arritjen si shumë të mirë, ndërsa vinte nga operacioni në gju.

Smajlaj ende nuk ka arritur në nivelin e 2017-ës kur u shpall kampion i Europës për salla të mbyllura, pikërisht në Beograd me rekordin e tij kombëtar 8.8 metra, ndërsa këtë formë ndoshta dëshiron ta arrijë në Europianin e këtij viti, që zhvillohet në muajin mars në Poloni. /abcnews.al