Robert Lewandowski është prej vitesh një nga sulmuesit më të mirë në botë. Polaku është një garanci golash për Bayern Munchen, teksa sezonin e kaluar fitoi plot trofe dhe u shpall lojtari më i mirë i sezonit nga FIFA.
Prej vitit 2014 është pjesë e klubit bavarez, teksa shpërtheu dhe u bë i famshëm te një tjetër klub gjerman, Borussia Dortmund. Verdhezinjtë siguruan shërbimet e tij në verën e vitit 2010 për rreth 5 milion euro.
Në lojë për të ishte edhe Genoa, teksa 32-vjeçari mund të kishte përfunduar në Ukrainë. Prapaskenë që zbulohet nga Mircea Lucescu, trajneri i Dynamo Kyiv. Rumuni i njohur ishte në stolin e Shakhtar Donetsk atë periudhë dhe e kishte nuhatur talentin e sulmuesit.
“E kishim kuptuar menjëherë që bëhej fjalë për një futbollist të shkëlqyer. Donim të blinim kartonin e tij, ishim të bindur që do të kishte një impakt të madh te Shakhtar Donetsk. Po flasim për periudhën para se të transferohej te Borussia Dortmund.
Tentuam të blinim kartonin e tij, por nuk ia dolëm, pasi Robert zgjodhi të kalonte në Gjermani. E dija që ishte një futbollist unik, por ai preferoi transferimin në Bundesligë. A ndjeva zhgënjim? Nuk ka sens të ndjesh pendim apo zhgënjim.
E dini pse? Prej faktit që Robert është rritur shumë mirë. Unë nuk jam vetëm një trajner, jam edhe një tifoz i madh i futbollit. Është bukur ta shohësh sesa shumë ka përparuar dhe çfarë futbollisti i mirë që është bërë“, thekson trajneri i famshëm. /abcnews.al