Nga Leo Cendrowicz, The Guardian
Vaksinat janë një mrekulli mjekësore, pasi falë tyre janë shpëtuar mijëra jetë njerëzish.
Zhvillimi jashtëzakonisht i shpejtë i vaksinave kundër Covid-19 duhet të cilësohet si një triumf. E megjithatë shumë europianë nuk duan të vaksinohen. Këta skeptikë të vaksinave po rrezikojnë jetën e fqinjëve të tyre dhe gjithashtu po dëmtojnë rimëkëmbjen ekonomike.
Por shpërndarja e vaksinave nuk shkoi ashtu siç pritej muajin e kaluar pas vonesave të vaksinave Pfizer / BioNTech dhe Oxford / AstraZeneca, duke rritur edhe më tepër skepticizmin tek një pjesë e popullsisë.
Nëse kjo do të quhej një fatkeqësi, kriza e fundit e vaksinave duket më shumë si një pakujdesi. Ndërkohë që shumë njerëz po kërkojnë të vaksinohen kundër Covid duke pritur radhën e tyre, dhe duke shpresuar nga Pfizer, në mënyrë të pabesueshme, skepticizmi është më i lartë tek punonjësit e kujdesit shëndetësor.
Problemi me vaksinat e AstraZeneca ka qenë më i madh në Gjermani, ku vetëm 187,000 nga 1.5 milion doza janë inokuluar deri në fund të javës së kaluar.
Ndërsa agjencia kryesore e vaksinave në Gjermani, Instituti Paul Ehrlich, konfirmoi raporte të efekteve anësore, të tilla si dridhjet ose ethet, ka deklaruar gjithashtu se vaksina është shumë efektive dhe efektet anësore nuk janë të rrezikshme.
Përplasjet e padukshme të muajit të kaluar midis komisionit Europian dhe AstraZeneca mbi dërgesat e vonuara nxitën antipatinë ndaj ndërmarrjes farmaceutike anglo-suedeze.
Pavarësisht nga të drejtat dhe gabimet e çështjes, komisioni minoi besimin te vaksinat. Kjo u shtua nga konfuzioni në lidhje me efikasitetin e vaksinës AstraZeneca. Shumë rregullatorë kombëtarë vendosën që personat mbi 65 vjeç të mos vaksinoheshin, duke përmendur mungesën e provave – edhe pse Agjencia Europiane e Barnave e miratoi atë muajin e kaluar për të gjithë të rriturit.
Sidoqoftë, kjo ngjalli dyshime mbi sigurinë e vaksinës. Rreziqet më pas u theksuan edhe më shumë në mediat gjermane dhe më vonë nga presidenti francez, Emmanuel Macron.
Sidoqoftë, një pjesë e mirë e skepticizmit të vaksinave është për arsye më të thella kulturore, shoqërore dhe politike.
Europa ka një traditë të gjatë të anti-vaksinave, e cila shpesh ushqehet nga politika.
Edhe pse Europa kryeson në industrinë globale të vaksinave, përfshirë dozat e Covid-19, njerëzit janë shumë skeptikë.
Një studim i vitit 2018, i Wellcome Global Monitor tregoi se vetëm 59% e njerëzve në Europën Perëndimore besojnë se vaksinat ishin të sigurta, krahasuar me 79% në të gjithë botën.
Kur bëhej fjalë për nivelet e larta të skepticizmit, Franca ishte më e larta, me rreth 33% që thanë se vaksinat ishin të pasigurta; krahasuar me 22% në Europën Perëndimore dhe 17% në Europën Lindore.
Pasojat ishin tashmë të qarta para koronavirusit. Shkalla e vaksinimit të fëmijëve ishte e ulët në të gjithë BE-në, duke rrezikuar kthimin e sëmundjeve të rrezikshme.
BE e kuptoi se ku qëndronte problemi, duke krijuar Projektin e Përbashkët Europian të Vaksinimit për të punuar në një protokoll të përbashkët. Para se të konfirmohej si presidente e komisionit Europian, Ursula von der Leyen premtoi se përparësia kryesore do të ishte komunikimi rreth efektiviteti të vaksinave, duke shpjeguar përfitimet dhe duke luftuar mitet, idetë e gabuara dhe skepticizmin rreth tyre”.
Paraardhësi i saj, Jean-Claude Juncker, i hodhi fajin skepticizmit të vaksinave për vdekjet nga sëmundjet e tjera dhe paralajmëroi se ata që refuzonin vaksiant “po luanin me zjarr”.
Por duke qenë se politika e kujdesit shëndetësor mbikëqyret më shumë nga qeveritë kombëtare sesa nga BE, Brukseli është vetëm një nxitës i politikave kombëtare të vaksinave.
Një raport i vitit 2018 nga Qendra Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve zbuloi se vetëm 10 nga 16 vendet kishin një sistem informacioni për imunizimin duke treguar arsyet rreth skepticizmit të vaksinave.
Pse, më shumë se dy shekuj pasi Edward Jenner zbuloi vaksinën e lisë, europianët janë kaq shumë skeptikë rreth vaksinave?
Sipas një sondazhi në 2019, rreth 48% e njerëzve në BE besonin se vaksinat mund të kishin efekte anësore serioze, 38% menduan se mund të shkaktonin sëmundje dhe 31% ishin të bindur se vaksinat mund të dobësonin sistemin imunitar.
Të gjitha këto janë besime që nuk janë vërtetuar kurrë.
Prof Heidi Larson, i cili drejton Projektin rreth besimit të vaksinave në Londër, thotë se skepticizmi i vaksinave është i lidhur me ankthin rreth botës dhe vendit që kemi ne në të.
Në Europë, frika rreth vaksinave ushqehet nga dezinformimi dhe përforcohet nga mediat sociale.
Natyra e jashtëzakonshme e pandemisë së koronavirusit ka gjeneruar një tendencë të re të teorive të konspiracionit.
Besimi te shkenca është i lidhur me besimin në institucione të tilla si qeveria. Zhvendosja drejt politikës ekstreme, përfshin populistë që nuk besojnë te vaksinat. Ky ishte rasti në Itali, ku dy partitë më të mëdha politike, partia e ekstremit të djathtë “ Lega” dhe Lëvizja e majtë “5 Yje”, kanë nxitur frikën e vaksinave te populli.
Franca mund të jetë vendi i pionierit të imunologjisë Louis Pasteur, por ka treguar një qasje tjetër të kundrejt vaksinave. Ministrat dhe zyrtarët në të gjithë BE-në tani po u luten njerëzve të vaksinohen me AstraZeneca.
Ministri gjerman i shëndetësisë, Jens Spahn, javën e kaluar tha se ishte një “privilegj” për të nëse do të vaksinohej nga AstraZeneca. Ministri francez i shëndetësisë, Olivier Véran, mori dozën e parë live në televizion.
Njerëzit në Belgjikë, nga ana tjetër nuk do të lejohen të zgjedhin se me cilën nga vaksinat do të vaksinohen. Por edhe nëse fushata e vaksinave të BE-së shkon në rrugën e duhur, kjo krizë ka ekspozuar sfida afatgjata.
Për shumë kohë, udhëheqësit europianë nuk kanë arritur të përballen me skeptikët rreth vaksinave, duke lejuar në këtë mënyrë rritjen e mosbesimit në popullatën e gjerë.
Kjo ka ushqyer teori konspirative në lidhje me farmacitë e mëdha dhe elitat globale, duke minuar besimin në mjekësinë moderne, shkencën dhe teknologjinë. Dhe kjo do të thotë se një pavarësisht provave të efektivitetit të saj, nuk do të marrë kurrë besimin e qytetarëve. Përktheu Sonila Backa/abcnews.al