Milani dëshiron të lërë pas krahëve humbjen 0-3 në derbin ndaj Interit dhe nesër do të tentojë kualifikimin në raundin e 1/8 të Europa League. Sfida e parë e zhvilluar në Beograd përfundoi në barazim 2-2, rezultat pozitiv për kuqezinjtë. Trajneri Stefano Pioli foli rreth sfidës së nesërme (21:00), teksa prek edhe disa tema të tjera në konferencën për shtypin.
“Rezultati i ndeshjes së parë na jep njëfarë avantazhi, por duhet ta menaxhojmë shumë mirë ndeshjen. Kualifikim vjen nëpërmjet një ndeshje të kujdesshme dhe cilësore. I kam lojtarët për të përballuar ndeshje çdo tre ditë. E njohim Crvenën, edhe ata na njohin mirë ne. Do të jetë një ndeshje e vështirë, por e kemi ne në dorë kualifikimin.
Milani e ka për detyrë të futet në çdo ndeshje për fitore. Dy ndeshjet e fundit nuk na bëjnë më pak të fortë sesa jemi. Kam një grup lojtarësh të pjekur dhe të vetëdijshëm për situatën. Të dielën na mungoi buzëqeshja, por kemi dëshirë të madhe për të reaguar. Nuk është dështim të humbësh në derbi, dështim do të thotë të qëndrosh pa lëvizur pasi je rrëzuar.
Lojtarët janë tepër të motivuar për t’u rikthyer te futbolli që kemi luajtur deri pak ditë më parë. I thashë ekipit që ka edhe 90 ditë deri në fund të kampionatit. Kur vuan skuadra, një gjë e tillë pasqyrohet edhe tek individët. Tonali po rritet, Bennacer nuk ka të njëjtën forcë dhe elasticitet në muskuj, dhe ka nevojë për të punuar i vetëm.
Nuk do bashkohet këtë javë me skuadrën, por shpresoj ta kemi sa më shpejt në dispozicion. Për Kessie do të vendosim nesër. Bisedoj çdo ditë me Ibrahimovic. Nëse ka një kampion që arrin ta përballë këtë lloj presioni, ai është Ibra. Kjo situatë do e motivojë edhe më shumë, diçka që do i shërbejë edhe skuadrës.
Kritikat ndaj Romagnolit? Ne fitojmë dhe humbasim si skuadër. Nuk më pëlqen loja e ndyrë për të gjetur një fajësor kur humbasim. Alessio është kapiteni ynë dhe ka pasur ndikimin e vet në rritjen e skuadrës, sigurisht duke ndihmuar edhe lojtarët e rinj. Duhet të vazhdojmë të jemi bashkuar, humbjet na ndihmojnë për t’u rritur“, përfundoi Pioli. /abcnews.al