Lamtumirë, John Mccain! Obama e Bush udhëheqin ceremoninë mortore

schedule18:50 - 1 Shtator, 2018

schedule 18:50 - 1 Shtator, 2018

Familjarë, të afërm, miq, por edhe rivalë të betuar politikë i kanë dhënë lamtumirën senatorit Xhon MekKein në ceremoninë mortore të mbajtur në Uashington. Me kërkesë të veteranit të luftës, ceremonia është udhëhequr nga ish-presidentët Obama dhe Bush, ndërkohë që Donald Trump nuk ka qenë i pranishëm.

Ish-presidentët e Shteteve të Bashkuara Barak Obama dhe Xhorxh W. Bush u mblodhën të shtunën bashkë me mijëra qytetarë për të nderuar Xhon MekKein, senator i Arizonës dhe veteran i luftës së Vietnamit. Trupi i MekKein mbërriti në katedralen kombëtare të Uashingtonit pasi autokolona që e shoqëronte ndaloi së pari në Memorialin e Veteranëve, ku bashkëshortja e tij Sindi MekKein vendosi një kurorë me lule në nder të atyre që kanë humbur jetën në betejë. Më pas, pjesëtarë të ushtrisë amerikane transportuan mbi shpatulla arkivolin brenda në katedrale, të ndjekur nga miqtë dhe të dashurit e të ndjerit, por edhe nga figura e ish-figura kyçe të politikës amerikane në dekada. MekKein i kishte kërkuar pikërisht ish-rivalëve të tij Obama dhe Bush, njëri demokrat dhe tjetri republikan, që të mbanin fjalimet. Një veprim ky i interpretuar si një mesazh drejtuar vendit për dëshirën e tij për një bashkëpunim më të ngushtë mes dy partive që ndajnë skenën politike amerikane. Senatori dhe ish-i burgosuri i luftës ndërroi jetë në më 25 gusht për shkak të kancerit në tru, në moshën 82-vjeçare. Donald Trump, i kritikuar ashpër nga MekKein pavarësisht se të dy vinin nga radhët e republikanëve, e kaloi ditën duke postuar cicërima për çështje të tjera. Por pavarësisht kësaj, anëtarët kryesorë të rrethit të tij të ngushtë nisur nga e bija Ivanka, dhëndri Xhared Kushner, shefi i stafit Xhon Kelli dhe këshilltari Xhon Bolton ishin të pranishëm në ceremoninë solemnte. Familja MekKein e kishte bërë të qartë se Trump nuk ishte i mirëpritur në shërbimin memorial në Arizona, në atë në Uashington dhe në ceremoninë mortore private të mbajtur në Anapolis, ku ndodhet dhe Akademia e Marinës amerikane. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!