Florian Kamberi u huazua nga St Gallen tek Aberdeen më datë 1 shkurt dhe është përshtatur për mrekulli tek ekipi skocez. Paraqitje të mira në tre takimet me Aberdeen dhe lojtari më i mirë i ndeshjes në fitoren shtëpiake 1-0 të ditës së sotme ndaj Kilmarnock.
Sulmuesi 25-vjeçar i kombëtares shqiptare, foli pas fitores së sotme për kanalin zyrtar të klubit. Ndeshja e sotme i ngjante një lufte në aspektin sportiv dhe rëndësi ka që u arrit objektivi: marrja e tre pikëve.
“Ishte një ndeshje e rëndësishme dhe siguruam tre pikë të mëdha. Kushtet nuk ishin sërish të mira, por e njëjta gjë vlen edhe për kundërshtarët tanë. Ishte një betejë sot, ndeshja i ngjante një lufte, por rëndësi ka që fituam dhe të shohim përpara.
Realizuam një gol perfekt, fituam, por duhet të vijojmë të qëndrojmë të përulur. Të rikuperojmë energjitë dhe të përgatitemi për ndeshjen me Celtic“, theksoi lojtari i Aberdeen, që renditet në vendin e katërt në elitën e futbollit skocez. /abcnews.al