Reagon Ambasada e SHBA për sulmin ndaj gazetares

schedule18:05 - 30 Gusht, 2018

schedule 18:05 - 30 Gusht, 2018

Akt frikacak e konsideron ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës sulmin që iu bë gazetares Klodiana Lala. Nëpërmjet një deklarate për shtyp ambasada jo vetëm e dënon këtë akt por nxit autoritetet shqiptare të kryejnë një hetim tërësor dhe transparent për të nxjerrë autorët përpara drejtësisë. Në vlerësimin e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara, si gazetare Klodiana Lala ka luajtur një rol të rëndësishëm në mbulimin e reformës në drejtësi, çështjeve të gjyqësorit dhe veprimtarisë kriminale.

Fakti që ajo u vu në shënjestër demonstron rëndësinë e punës së saj- sjellja e së vërtetës tek populli shqiptar- nënvizon përfaqësuesja zyrtare e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendin tonë në këndvështrimin e së cilës veprime të tilla tregojnë se kriminelët kanë frikë, sa më shumë Shqipëria i afrohet një drejtësie të vërtetë.

“Ambasada e Shteteve të Bashkuara dënon me forcë sulmin e gazetares Klodiana Lala dhe familjes së saj. Ne nxisim autoritetet shqiptare që të bëjnë një hetim tërësor dhe transparent për të nxjerrë autorët përpara drejtësisë. Si gazetare. Klodiana ka luajtur një rol të rëndësishëm në mbulimin e reformës në drejtësi, çështjeve të gjyqësorit dhe veprimtarisë kriminale. Fakti që ajo u vu në shënjestër demostron rëndësinë e punës së saj- sjellja e së vërtetës tek populli shqiptar. Një media e pavarur është frymëmarrja e një demokracie të fortë. Akte frikacake si ky tregojnë se kriminelët kanë frikë sa më shumë që Shqipëria i afrohet një drejtësie të vërtetë.”

Me forcë e ka dënuar edhe OSBE sulmin kundër gazetares Klodiana Lala duke nxitur gjithashtu autoritetet të nxjerrin para drejtësisë personat përgjegjës. Media e lirë luan rol thelbësor në demokraci dhe dhuna kundër gazetarëve është shenjë shumë negative për shëndetin dhe lirinë e shoqërisë- e përfundon reagimin e saj në rrjetet sociale prezenca e OSBE në vendin tonë./abcnews.al