“I kërkojmë falje Ibrahimovic”, Crvena distancohet nga tifozi racist

schedule19:57 - 19 Shkurt, 2021

schedule 19:57 - 19 Shkurt, 2021

Crvena Zvezda-Milan përfundoi në barazim 2-2 mbrëmjen e kaluar, takimi i parë i raundit të 1/16 në Europa League. Ofendimet me baza racore nuk munguan.

Një tifoz vendas u kap me Zlatan Ibrahimovic, të cilin e ofendoi me shprehjen, “balija i ndyrë” (fjala balija përdoret kundër boshnjakëve etnikë myslimanë).

Klubi serb ka reaguar zyrtarisht në lidhje me ngjarjen e ndodhur, duke i kërkuar falje sulmuesit të Milanit. “Crvena dënon në mënyrë të ashpër frazat ofenduese ndaj Ibrahimovic.

Ne si klub kemi bërë gjithçka që organizimi i ndeshjes të ishte në nivelin e dy ekipeve të mëdha dhe nuk lejojmë që një primitiv të hedhë njollë mbi mikpritjen tradicionale të vendit dhe popullit tonë.

I kërkojmë falje në mënyrë të sinqertë Zlatan Ibrahimovic për episodin e pakëndshëm që ndodhi mbrëmjen e kaluar.

Premtojmë që do të bashkëpunojmë me organet kompetente për të identifikuar dhe ndëshkuar personin që kreu gjestin“, lexohet në komunikatën e kampionëve të Serbisë. /abcnews.al