Thaçi: Jam në koordinim me aleatët strategjik

schedule15:20 - 29 Gusht, 2018

schedule 15:20 - 29 Gusht, 2018

Presidenti Thaçi i është përgjigjur opozitës duke e akuzuar se po bën propagandë të rrezikshme kundër zgjidhjes së konfliktit me Serbinë. Ai pretendon se veprimet e tij janë në koordinim me aleatët strategjik të Kosovës.

Presidenti Hashim Thaçi ka kritikuar opozitën dhe një pjesë të shoqërisë civile që sipas tij e konsiderojnë me qëllim të keq mbështetjen e Kosovës nga aleatët e saj si SHBA-ja, Gjermania, Franca dhe Italia. Ai e ka quajtur të rrezikshme atë që ai e konsideron “propagandë të paskrupullt” nga ana e opozitës karshi aleatëve ndërkombëtarë. Reagimi i tij vjen pasi subjektet opozitare thirrën seancë të jashtëzakonshme në kundërshtim të bisedimeve për korrigjim të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë.

“Nuk ka fatkeqësi më të madhe për shtetin dhe qytetarët e Kosovës kur disa parti opozitare apo individë e vendosin në pikëpyetje përkrahjen e SHBA-së dhe aleatëve tanë kryesorë. Kjo situatë është për keqardhje”, ka shkruar mes tjerash ai në Facebook.

“Sovraniteti shtetëror dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i garantuar nga Kushtetuta jonë dhe jo nga deklaratat emocionale të atyre që as nuk e kanë idenë sesi është fituar liria dhe pavarësia e jonë”, vijon më tej presidenti.

“Kjo propagandë e paskrupullt e partive opozitare kundër aleatëve tanë ndërkombëtarë, e mbështjellë me panikun për gjoja cënimin e sovranitetit shtetëror, është e rrezikshme dhe e turpshme”, shprehet Thaçi.

Gjithashtu nënvizon se nëse qytetarët e Kosovës do të pyeteshin nëse “janë për marrëveshje paqësore me Serbinë, e cila Kosovës i siguron anëtarësim në BE, NATO dhe OKB, apo duan të jetojnë në hasmëri me shtetet fqinje dhe të izoluar”, ata do të zgjidhnin opsionin e parë.

“Prandaj edhe po punoj në koordinim të ngushtë me aleatët tanë ndërkombëtarë, që paqja me fqinjë dhe integrimi të jenë zgjedhja e duhur”, përfundon Thaçi./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!