Dy persona janë arrestuar në Shkodër, një është shpallur në kërkim dhe një tjetër është proceduar në gjendje të lirë, pasi kishin përshtatur lokalin për zhvillimin e lojërave të fatit dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike. Gjatë operacionit të koduar “Game Over” janë sekuestruar disa doza kokainë, 1 tavolinë pokeri, 2 makineta të lojërave të fatit, çipsa dhe letra për poker.
Të arrestuarit janë;
- P., 21 vjeç, banues në Shkodër, për veprat penale “Fshehja e të ardhurave”, “Ushtrimi i një aktiviteti tregtar të paligjshëm ose të paregjistruar në organet tatimore”, “Organizimi i lotarive të palejuara”, “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
- M., 19 vjeç, banues në Shkodër, për veprat penale “Prodhimi dhe shitje e narkotikëve” dhe “Organizimi i lotarive të palejuara”.
U procedua në gjendje të lirë G. Sh., 33 vjeç, banues në Shkodër, si dhe u shpall në kërkim R. P., 29 vjeç, banues në Shkodër, për veprën penale “Organizimi i lotarive të palejuara”.
Por si u arrestuan?
Policia thekson se pas informacioneve në rrugë operative se në një lokal në zonën e Vrakës, Boric i Madh, disa persona ushtronin veprimtarinë e kundërligjshme të lojërave të fatit dhe shpërndanin lëndë narkotike ushtruan kontroll.
“Në momentin e ndërhyrjes nga shërbimet e Policisë, këta persona janë kapur në flagrancë duke zhvilluar lojën e pokerit, të cilën po e organizonte G. Sh. Gjatë kontrollit të ushtruar, në lokal janë konstatuar një tavolinë pokeri, dy makineta të lojërave të fatit, çipsa dhe letra që përdoren për lojërat e fatit.
Gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj personave që ndodheshin në ambientet e lokalit, shërbimet e Policisë, S. M. i kanë gjetur një sasi të vogël me lëndë narkotike të dyshuar kokainë, ndërsa R. P. iu gjet një sasi e konsiderueshme parash. Gjithashtu, gjatë kontrollit të ushtruar në ambientet e lokalit u gjeten 9 doza me lëndë narkotike të llojit kokainë.
Gjatë operacionit janë sekuestruar në total: 10 doza me lëndë narkotike të dyshuar kokainë, 1 tavolinë pokeri, 2 makineta të lojërave të fatit, çipsa dhe letra për lojën e pokerit, 1 aparat celular dhe një shumë parash” mbyllet njoftimi i policisë Shkodër./ db/ Abcnews.al

