Një ministër në Francë ka zgjedhur një mënyrë shumë të veçantë për të njoftuar dorëheqjen e tij. Bëhet fjalë për ministrin e Ambjentit, largimi i të cilit ka kapur të papërgatitur presidentin Macron, por edhe bashkëshorten që nuk dinte gjë.
Ministri francez i Ambjentit, Nicolas Hulot ka dhënë dorëheqjen gjatë një emisioni radiofonik, një lëvizje që ka kapur të papërgatitur edhe presidentin Emmanuel Macron. Ish-prezantuesi televiziv dhe aktivisti për ambjentin deklaroi se largohet nga detyra pas zhgënjimeve të shumta në përpjekjet për të zgjidhur problemet e klimës. Gjatë transmetimit, Hulot tha se ndihej i vetmuar në radhët e qeverisë franceze. Vendimi i tij erdhi papritur, aq sa edhe bashkëshortja e tij mbeti e surprizuar. “Do të marr vendimin më të vështirë të jetës sime, do të braktis qeverinë”, tha Hulot.
Ai shtoi se nuk e kishte njoftuar presidentin Macron dhe kryeministrin Philippe, pasi druhej se mund t’i flisnin dhe t’ia ndërronin mendjen. Hulot është një figurë mjaft popullore në Francë dhe mediat lokale shkruajnë se largimi i tij mund të përbëjë një goditje të rëndë për kreun e shtetit, mbështetja për të cilin është e vakët. Nga ana e tij, Macron u shpreh se e respekton vendimin e Hulot dhe shtoi se shpreson tek mbështetja e tij për një reformë tjetër. Dorëheqja vjen një ditë pasi qeveria njoftoi se po lehtësonte kufizimet për gjuetinë, një veprim të cilin Hulot e konsideroi të ndikuar nga fuqitë lobiste. Në transmetimin radiofonik, ish-ministri tha se shpreson që dorëheqja e tij të shihet si një thirrje ndërgjegjësimi./abcnews.al