Përse fitoi Vetëvendosje? Mustafaj: Rama kujtoi se Kurti edhe Osmani do i rrinin si nxënës

schedule19:38 - 16 Shkurt, 2021

schedule 19:38 - 16 Shkurt, 2021

Analisti Besnik Mustafaj, i ftuar në studion e Radarit Informativ në ABC përballë gazetares Sibora Bitri analizoi procesin zgjedhor në Kosovë dhe faktorët që çuan Lëvizjen Vetëvendosje drejt suksesit. Për ish-ministrin e Jashtëm në fitoren e Albin Kurtit ndikuan disa faktorë.

Kanë ndikuar shumë faktorë, që janë thelbësorë, por jo programorë. Ka ndikuar fakti që rrëzimi i qeverisë Kurti para një viti u prit keq nga publiku, që ishte gjysmë intrigë e thurur nga Thaçi dhe Mustafa. E dyta lëvizja e Vjosa Osmanit drejt listës së Vetëvendosjes. Vjosa Osmani nuk është bërë anëtare e Vetëvendosjes, ka listën e vet, që solli një zhvendosje tektonike të elektoratit.

Vetëvendosje ka marrë 150 mijë vota më shumë se para një viti e gjysmë, po kaq më pak ka marrë LDK. Istogu, që është vendlindja e Ibrahim Rugovës, tani Vjosa Osmani ka marrë një mijë vota më shumë se e gjithë LDK bashkë, 6 mijë vota Osmani dhe 5 mijë LDK. Ata që u bënë pjesë e rrëzimit të qeverisë Kurti, AAK dhe LDK-së kanë rënie të theksuar, ndërsa PDK ka ruajtur të njëjtin elektorat” tha ai.

Por si e cilëson ai dorëheqjen e Mustafës nga LDK? “LDK është në krizën më të thellë, kërkon reformim shumë të madh strukturor dhe mentalitetin e lidershipit. Dorëheqja e Mustafës është shumë e vonuar, duhet të ishte që në 2019, një njeri pa asnjë koshiencë politike dhe dashuri për LDK. Po të mos ishte ai faktor uzurpator nuk do të ishte përjashtuar Osmani dhe figura të tjera me peshë”.

Zgjedhjet në Kosovë, tha më tej Mustafaj duhet të merren shembull edhe nga Shqipëria. “Kosova i dha një shembull të lartë demokracie, jo vetëm Shqipërisë që është e fundit në rajon, por edhe Serbisë, Maqedonisë dhe disa vendeve të tjera”.

E ndërsa zgjedhjet mbaruan, tashmë fokusi është te numrat për të formuar qeverinë. “Në qeveri inkludohen edhe minoritetet, dhe bashkë me 10 deputetët e minoriteteve jo serbe, thjesht edhe me këta pa Listën Serbe, që unë mendoj se do të përfshihet, i ka numrat për të formuar qeverinë, kjo është teknikisht. Koalicionet janë edhe cështje mentaliteti politik për të mos qeverisur vetëm, pasi është e rrezikshme, pasi përmban brenda edhe tharmin e autoritarizmit, shikon cfarë bën Rama. Besoj se Kurti do të jetë i hapur për koalicion me AAK-në”.

Por, si do të ndikojë në marrëdhëniet Kosovë-Shqipëri, fitorja e Albin Kurtit dhe raporti me Edi Ramën?

Edi Rama është një delirant i pranuar nga opinioni publik shqiptar. Ai ka menduar se edhe Kurti edhe Osmani do i rrinë si nxënës, por ka ndeshur përballë dy liderë me personalitet të formuar dhe të zotët, janë një brez i ri, që shfaqen me shumë personalitet. Përplasjen me Kurtin e ka me kundërshtimin për projektin për ndarjen e Kosovës. Një treshe që ndërtoi një projekt për ndarjen e Kosovës, Rama-Thaci-Vucic, dështoi edhe falë këmbënguljes së Albin Kurtit.

Kaq problematike, Rama marrëdhëniet i ka edhe me Haradianjn, por edhe me Hotin. Nuk e di me kë ka marrëdhënie në rajon përveç Vucicit. Albin Kurti ka treguar se është politikan i qartë, por jo ende burrë shteti. Nëse do i ketë këto cilësi do të dijë ti ndërtojë marrëdhëniet me Tiranën” tha Mustafaj./ db/ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!