Ivan Gazidis, CEO i Milanit, ka dhënë një intervistë për gazetarin Grant Wahl në “Futbol” dhe e pranon që kuqezinjtë ishin në vështirësi të mëdha kur e morën klubin. Afrikano-jugori flet edhe për trajnerin Stefano Pioli dhe sulmuesin Zlatan Ibrahimovic.
“Kemi ardhur në një klub që ishte në një gjendje vërtetë të keqe në aspektin financiar. Të ardhurat kanë mbetur të njëjta, ndërsa shpenzimet rriteshin. Kështu që kishte humbje të rëndësishme. Nuk është një situatë që zgjidhet brenda ditës, kërkon kohë. Edhe pse nuk pëlqehet nga njerëzit, na u desh të ulnim kostot dhe në krahun tjetër përpiqeshim të rrisnim përformancën.
Ju siguroj që nuk është aspak e lehtë kjo gjë. Nëse vepronim si Juve dhe Inter nuk do ishim në gjendje t’i arrinim dhe të konkurronim, pasi bëhet fjalë për klube që janë para me planet e tyre. Kështu që sollëm më shumë ide të reja, u mbështet në analiza dhe në një departament shumë të mirë të skautëve. Donim që dikush ta drejtonte të gjithën këtë dhe Paolo Maldini u kthye në klub.
Jemi përqendruar te lojtarët e rinj, kemi blerë dhe do vazhdojmë talente nga e gjithë bota, lojtarë që duan të tregojnë që kanë diçka. Ibrahimovic gjithashtu përfshihet në këtë kategori. Pavarësisht se mosha është një sfidë romantike për të, ai ka një lidhje speciale me klubin. Drejtimi i një grupi të rinjsh dhe rikthimi i Milanit në maja është një sfidë posaçërisht për të.
Na duhej të gjenim trajnerin e duhur dhe e gjetëm atë te Stefano Pioli. Pas pandemisë kemi pasur një periudhë të jashtëzakonshme që nuk matet vetëm me fitoret. Për Milanin sigurisht fitoret janë të nevojshme, por nuk mjaftojnë. Duam një lojë dinamike, aktive dhe po e bëjmë me një grup me lojtarë të rinj”. /abcnews.al