Shqipëria dhe Kosova, një komb dy standarde për zgjedhjet

schedule19:16 - 15 Shkurt, 2021

schedule 19:16 - 15 Shkurt, 2021

Nga Juxhin Mustafaraj

Për shkak të rrethanave historike deri në krijimin e saj si shtet, Kosova ka parë gjithmonë drejtë Shqipërisë, për të gjetur modele dhe për të formësuar institucione. Por në përvjetorin e 13-të si shtet, Kosova prodhoi një ngjarje politike e cila për nga përmbajtja dhe produkti që solli krijoi një standard të ri.  Albin Kurti pasi u mandatua për herë të parë si kryeministër në shkurt të 2020, qëndroi në detyrë vetëm 1 muaj, ku pas vendimmarrjes për të shkarkuar ministrin e Brendshëm Agim Veliu, që vinte nga radhët e aleatëve të tij të LDK-së, firmosi edhe kapitullimin e Vetëvendosjes në qeverisje.

Kosova u drejtua nga një koalicion i ri, që për Gjykatën Kushtetuese nuk gëzonte kushtetutshmëri. Vjosa Osmani në pozitat e Presidentes dekretoi në janar të 2021 datën 14 shkurt si ditën kur do të mbaheshin zgjedhjet e parakohshme.  As më pak dhe as më shumë 28 subjekteve politike ju la vetëm 10 ditë kohë për të bërë fushatë dhe për të bindur qytetarët. Për shkak të pandemisë, fushatat ishte ndryshe, pa mitingje elektorale dhe rrjedhimisht pa shpenzime të mëdha.

Nuk kishte gjuhë fyese dhe fjalime me sulme personale.  Politika i dha mundësi mërgatës që pavarësisht largësisë, të fliste përmes votës me postë për realitetin e ri që Kosova do të ketë. Mundësinë për të votuar nga banesat e tyre e kishin edhe personat e infektuar me covid. Me temperature disa gradë nën zero qytetarët u vendosën në rresht në qendrat për të votuar. Në orën 19:00 kutitë u mbyllën për votuesit, për tu zhvendosur në tryezat e numëruesve të cilët për afro 6 orë numëruan mbi 812 mijë vota dhe shpallën fituesin. Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Enver Hoxhaj nuk priti rezultatin final, por doli publikisht për të pranuar humbjen dhe uroi fituesit. Albin Kurti dhe Vjosa Osmani në mesnatë shpallën fitoren dhe kërkuan që puna për të mbajtur zotimet të nis nga kjo e hënë.

Përpara zgjedhjeve është edhe Shqipëria. Në 25 prill, qytetarët shqiptarë do të votojnë për të mandatuar qeverisjen e re. Plot 3 vite iu deshën politikës në Tiranë për tu ulur dhe për të shkruar një Kod të Ri Zgjedhor por pa rezultat. U deshën ndërkombëtarët t’i ulin në janar të 2020 përballë njëri-tjetrit ku pas 5 muajsh në tryezë miratuan një marrëveshje që nuk depolitizoi as komisionet zgjedhore dhe nuk krijoi as mundësi për diasporën të votonte për qeverinë në Tiranë.

E megjithatë një dokument konsensual u miratua. Për tu rrëzuar sërish, 1 muaj më pas me ndryshimet në Kodin Zgjedhor që PS votoi në Kuvend për të zhbërë formulën e koalicioneve. Zyrtarisht fushata zgjedhore në Shqipëri do të nis në 25 mars, por maxhoranca dhe opozita takimet elektorale  i kanë nisur prej muajsh. Mazhoranca ka shpërfillur gjobat e KQZ dhe ka vijuar me dhënien e çëlësave të shtëpive të dëmtuara nga tërmeti, ndërsa opozita ka tentuar jo në pak raste ta demontrojë mbështetjen me dhjetra simpatizantë që hapur shpërfillim masat anti-covid.

Dy partitë e mëdha kanë kontraktuar tashmë partitë e tyre të PR, të cilat paguhen mijëra dollarë për të treguar se si duhet bërë fushatë. Në 25 prill, shqiptarët do të votojnë. Të paktën ata që do të kenë mundësi ta bëjnë. Sepse këtu, politika e ka lënë sërish jashtë diasporën. Kur kutitë të mbyllen në orën 18:00 ato do të duhet të grumbullohen në qendrat e numërimit përpara se të nisin të japin rezultate.Me disa përjashtime,  rrallë ka ndodhur që politika në Tiranë të dal e të pranojë humbjen dhe kundërshtarët të urojnë njëri-tjetrin. Në Shqipëri proceset zgjedhore krahas rezultatit për fituesin, prodhojnë alibi me kohëzgjatje 4 vjeçare për humbësit. Me dy muaj diferencë nga njëri proces në tjetrin, Kosova e ofroi standardin e saj të zgjedhjeve. Tani është koha për shqiptarët në Tiranë!/ Abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!