Lulzim Basha është i bindur se në 25 prill, Edi Rama do të humbasë zgjedhjet dhe PD-ja do të vijë në pushtet. Lideri demokrat u shpreh sot se shqiptarët kanë për ta ndëshkuar Edi Ramën se nuk i mbajti premtimet. “Dje unë u listova vetëm 9 premtime të Ramës me të cilat ai kërkoi votën, 300 mijë vende pune, shëndetësinë falas, legalizimet falas, uljen e TVSH-së, e shumë e shumë të tjera, por janë dhjetëra dhe qindra premtime që Edi Rama i ka bërë dhe nuk i ka mbajtur.
Dje ju kujtova vetëm një pjesë të vogël. Një kryeministër që nuk i mban premtimet nuk ka të drejtën morale të kërkojë një mandat tjetër. Jo vetëm që nuk ka kërkuar falje që nuk ka mbajtur asnjë premtim të vetëm në 8 vite, por tani po vjen me të tjera premtime boshe. Vetëm dështime. Shqipëria ka ngecur në vendnumëro. Edi Rama nuk ka mbajtur një premtim të vetëm, tani do të na sjellë premtime të reja dy muaj përpara se shqiptarët të japin verdiktin me votë. Në 25 prill Rama humb, Shqipëria fiton” tha ai.
Zgjedhjet në Kosovë, Basha i cilësoi një shembull dhe model që duhet ndjekur. “Uroj Lëvizjen Vetëvendosje për fitoren e zgjedhjeve në Kosovë. Procesi ishte model shembull për Shqipërinë dhe mbarë Ballkanin. Kosovën e presin sfida të mëdha përpara. I garantoj që sot dhe akoma më fort nesër, unë dhe PD do të jemi në krahun e tyre për të bashkëpunuar sa më fuqishëm në përfitim të ekonomisë, zhvillimit dhe punësimit” tha ai. / db/ Abcnews.al