CDC: evidencë në rritje se shkollat mund të rihapen të sigurta

schedule07:34 - 13 Shkurt, 2021

schedule 07:34 - 13 Shkurt, 2021

Agjencia më e lartë e shëndetit publik në Shtetet e Bashkuara tha të premten se shkollimi në person mund të rifillojë në mënyrë të sigurt me mbajtjen e maskave, distancimin fizik dhe strategji të tjera, por se vaksinimi i mësuesve, megjithëse i rëndësishëm, nuk ishte një parakusht për rihapjen.

Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) botuan planin e shumëpritur për rikthimin e nxënësve në klasa ndërsa vazhdon pandemia e koronavirusit. Por udhëzimi i saj është vetëm se agjencia nuk mund të detyrojë shkollat të hapen përsëri, dhe zyrtarët e agjencisë u treguan të kujdesshëm për të thënë se nuk po bënin thirrje për një udhëzim që të rihapen të gjitha shkollat në Shtetet e Bashkuara.

Zyrtarët thanë se kishte tashmë tregues të fortë se shkollat mund të rihapen, veçanërisht në nivelet e klasave të ulëta.

Udhëzimi i ri përfshiu shumë nga të njëjtat masa të mbështetura më parë nga CDC-ja, por i sugjeron ato më me forcë. Udhëzimi thekson se të gjitha rekomandimet duhet të zbatohen në mënyrë rigoroze dhe të qëndrueshme për të mbajtur shkollat e sigurta. Ai gjithashtu ofron sugjerime më të hollësishme rreth asaj se çfarë lloj shkollimi duhet të ofrohet duke pasur parasysh nivele të ndryshme të transmetimit të virusit, me këshilla të ndryshme për shkollat fillore, tetëvjeçare dhe të mesme.

Masat e rekomanduara përfshijnë larjen e duarve, dezinfektimin e objekteve shkollore, testimin diagnostikues dhe gjurmimin e kontakteve për të gjetur infeksione të reja dhe për të ndarë njerëzit e infektuar nga të tjerët në shkollë. Ishte gjithashtu më e theksuar se në udhëzimet e kaluara domosdoshmëria e mbajtjes së maskave në shkolla.

“Ne e dimë që shumica e grupeve (të rasteve të infektimit) në mjediset e shkollës kanë ndodhur kur ka shkelje të veshjes së maskave”, tha Dr. Rochelle Walensky, drejtore e CDC-së, në një telefonatë me gazetarët.

Megjithëse udhëzimi tha se vaksinimi i mësuesve nuk duhet të shihet si një kusht për t’u rihapur, zonja Walensky tha se kjo mund të sigurojë “një tjetër shtresë mbrojtjeje”.

Udhëzimi u publikua ndërsa Presidenti Joe Biden përballet me presion në rritje për të përmbushur premtimin e tij për të kthyer shumicën e shkollave në mësimdhënie në person deri në fund të 100 ditëve të tij të para në detyrë. Shtëpia e Bardhë tha këtë javë se një strategji kombëtare do të udhëhiqet nga shkenca.

“Ky (udhëzim) është pa ndërhyrje politike”, tha zonja Walensky.

Ekziston një perceptim i gjerë se mësimi në klasë është më efektiv dhe se studentët mund të përballen me izolim dhe pengesa me mësimin nga shtëpia. Por sindikatat e mësuesve në disa zona thonë se shkollat nuk kanë arritur t’i bëjnë ndërtesat aq të sigurta sa të rikthehen.

Zyrtarët e CDC-së theksuan se të mësuarit në person nuk është identifikuar si një nxitës thelbësor i përhapjes së koronavirusit në komunitetet amerikane dhe se transmetimi i virusit mes studentëve tani konsiderohet relativisht i rrallë.

CDC-ja gjithashtu theksoi se mënyra më e sigurt për të rihapur shkollat është duke u siguruar që të ketë sa më pak sëmundje që të jetë e mundur në komunitet. Agjencia u bëri thirrje zyrtarëve lokalë të konstatojnë nëse një shpërthim i rëndë virusi po ndodh në komunitet, kur marrin vendime për dërgimin e të rriturve dhe fëmijëve në shkolla./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!