Monolog nga Robert Aliaj: Zgjedhjet në Kosovë, një shans më tepër për Shqipërinë

schedule21:07 - 11 Shkurt, 2021

schedule 21:07 - 11 Shkurt, 2021

Monolog nga Robert Aliaj

Në këto 108 vitet e fundit, Shqipëria ka pasur vetëm një funksion të rëndësishëm historik: të jetë një pikë referimi e shqiptarëve të hapërdarë në të gjithë botën.

Në Shkup a në Nju Jork, Në Prishtinë a Bruksel, në Londër a në Athinë, shqiptarët e mbajnë njërin sy drejt Shqipërisë.

Edhe kur Shqipëria qeveriset nga dallkaukë, hajdutë, injorantë me kollare, abuzivë e autokratë, për shqiptarët që jetojnë larg ajo është prapë një pikë e emocionale e pazëvendësueshme.

Edhe pse Shqipëria ka dështuar… Ka dështuar të jetë një pol energjie pozitive pan-shqiptare, një motor intelektual apo magnet kulturor, aq më pak një model zhvillimi kombëtar për t’u ndjekur.

Nga Qendra e shqiptarisë, ne kemi eksportuar në Prishtinë, Shkup e Podgoricë, në Europë e Amerikë, modelin e politikanit injorant, xhahil e të paskrupullt. Të atij që për një post shet nderin e për para shet dhe gjithë Shqipërinë. Ne kemi eksportuar tek shqiptarët e rajonit modelet televizive që mashtrojnë publikun, dhe modelin e publikut që shet votën.

Por bota shqiptare nuk ka pse pret Shqipërinë.

Kosova, tregoi rradhën e kaluar që mund të ndërtojë një model zgjedhjesh jo si të Shqipërisë. Në hapësirën politike të Kosovës ka tashmë politikanë e parti që e kanë bërë shkëputjen nga politika bizantine e paternaliste e Tiranës.

Kosova, ka më në fund një shans për të treguar që demokracia dhe përfaqësimi politik i publikut mund të funksionojnë edhe në Ballkan. Kosova, mund të tregojë që politikanët e partitë e përgjegjëshme mund ta zhvillojnë një komb.

Suksesi i këtyre zgjedhjeve në Kosovë është një shans jo vetëm për Kosovën. Ky është një shans, më tepër për Shqipërinë.