Gjyqtarja Enkelejda Hoxha, avokati Aldo Tabaku, kryesekretarja e Gjykatës së Krujës, Manuela Mallakuçi si edhe mjaft persona të tjerë të lidhur me ta, kanë parë prangat në duart e tyre gjatë mëngjesit të sotëm pas një operacioni të SPAK.
Të gjithë ata dyshohet se janë pjesë e një grupi të strukturuar kriminal dhe se kanë liruar apo po bëheshin gati të lironin nga burgu të dënuar për krime të rënda.
Mes të arrestuarve është edhe eksperti psikiatro-ligjor i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Shkëlqim Korbi si edhe familjarë të dënuarish. Sipas SPAK ata po përgatisnin lirimin nga burgu të një të dënuari për vrasje.
Lexo edhe: Po lironin të dënuarin për vrasje, pse SPAK arrestoi gjyqtaren dhe avokatin në Krujë
Lirimi i fundit i bujshëm i gjyqtares Enkelejda Hoxha ka qenë ai i Indrit Dokles, të dënuar më herët për një sërë krimesh. Po ashtu, Hoxha rezulton të jetë gjyqtarja që firmosi lirimin nga burgu të Hekuran Billës, i cili u vra më vonë për shkak të një krimi që kishte kryer në Angli. Billa u ekstradua nga Anglia në Shqipëri për të kryer dënimin e mbetur, por shumë shpejt gjeti lirinë me vendim të gjyqtares Hoxha. Pas lirimit, Billa u ekzekutua në një atentat te “Komuna e Parisit” në qershor të vitit të shkuar.
Një tjetër vendim i bujshëm i gjyqtares ishte ai i nëntorit 2017 ku u lirua nga burgu Genc Tafili.
Mësohet se të arrestuarit e sotëm ishin duke u mbajtur nën vëzhgim prej disa kohësh nga SPAK. Gjatë operacionit janë sekuestruar edhe kompjuterat e Gjykatës së Krujës si provë për krimin e dyshuar.
Emrat e të arrestuarve
Enkeleida Hoxha, gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Krujë, e dyshuar për veprën penale penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 319/ç dhe 25 të Kodit Penal;
Aldo Tabaku, avokat në dhomën e avokatisë Krujë, i dyshuar për veprat penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, kryer në bashkëpunim, dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga nenet 245/1 paragrafi i dytë dhe 319/ç të Kodit Penal.
Manuela Mallakuçi, sekretare në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Krujë, e dyshuar për veprën penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë” dhe “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga nenet 319/ç dhe 244 të Kodit Penal;
Shkëlqim Korbi, ekspert psikiatriko – ligjor pranë Institutit të Mjekësisë Ligjore, i dyshuar për veprën penale “Ekspertim i rremë”, parashikuar nga neni 309/2 i Kodit Penal;
Sajmir Petani, i dyshuar për veprën penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 319/a i Kodit Penal;
Bledar Petani, i dyshuar për veprën penale “Korrupsioni aktiv i gjyëqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 319/a i Kodit Penal;
Altin Skëndaj, i dyshuar për veprën penale “Korrupsioni aktiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 319/a i Kodit Penal;
Gazmir Nezaj, i dyshuar për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëëpunim, parashikuar nga neni 245/1 paragrafi i parë dhe 25 të Kodit Penal.
Gentjan Nezaj, i dyshuar për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëëpunim, parashikuar nga neni 245/1 paragrafi i parë dhe 25 të Kodit Penal.
Isuf Tanuzi, i dyshuar për veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, kryer në bashkëëpunim, parashikuar nga neni 245/1 paragrafi i parë dhe 25 të Kodit Penal./abcnews.al